Transmetuar më 17-01-2023, 22:06

Republika e Togos ende figuron në listën e vendeve njohëse të shtetit të Kosovës edhe pse kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla tha se ky vend e ka tërhequr njohjen që nga viti 2019.

Gërvalla në një kundërpërgjigje për deklarimin nga Beogradi të Ministrit të Jashtëm të Togos u shpreh se kjo është fushatë e Serbisë kundër Kosovës, duke u arsyetuar me faktin se “çnjohja” ka ndodhur para se të marrë ajo punën e Ministres së Jashtme.

Se ka fushatë të Serbisë kundër Kosovës evidentojnë edhe njohësit e çështje ndërkombëtare, por që shtojnë se Ministria e Punëve të Jashtme nuk po mund të ballafaqohet me këtë.

Fenomeni i “çnjohjeve” pritet të dëmtojë Kosovën edhe në proceset e anëtarësimeve të saj në organizatat ndërkombëtare.

Ndërkohë propozohet që kjo ministri të fillojë edhe një taskforcë për t’u ballafaquar me fushatën e “çnjohjeve” të sponsorizuar nga Serbia e të punohet në arritjen e njohjeve të reja.

Njohjen e fundit si shtet Kosova e ka arritur përmes marrëveshjes së Washingtonit nga ana e Izraelit dy vjet më parë./ TCh