Transmetuar më 30-01-2023, 11:44

Duket se çështja e Dani Alves nuk do të jetë e qetë, pas përfundimit në burg të futbollistit brazilian. Nuk ndalen lajmet mbi fatin e ish-mbrojtësit të Barcelonës pas hekurave, ashtu si ato në lidhje me vetë çështjen e përdhunimit të vajzës 23-vjeçare më 30 dhjetor. Gjithçka është bërë tashmë pjesë e debatit publik futbollistik.

Futbollisti më i titulluar në histori akuzohet për sulm seksual të ndodhur më 30 dhjetor në klubin e natës së Barcelonës, “Sutton”.

Aktualisht ai po ndan një qeli me ish-truprojën e Ronaldinhos, i cili po e mban nën vëzhgim, pasi kishte shqetësime për gjendjen e tij mendore.

Raportet e fundit nga burgu thonë se Alves duket të jetë më i qetë për të ardhmen e tij, megjithatë, duke cituar anëtarët e familjes që e kishin vizituar pas hekurave.

“Do të pranoj çfarëdo që të vijë, – raportohet të ketë thënë ai. – U largova nga shtëpia kur isha 15 vjeç. Kam kapërcyer situata shumë të vështira dhe të ndërlikuara në jetën time. Kjo do të jetë një tjetër, që do ta kaloj. Asgjë nuk më tremb”.

Pasi ndryshoi versionin e tij të ngjarjeve në disa raste, Alves tani pohon se aktet seksuale në banjë ishin konsensuale, jo sulme. Avokati i tij, i ndryshuar së fundi, pohon se ka dhënë versione të ndryshme për të fshehur tradhtinë ndaj bashkëshortes, Joana Sanz.