Transmetuar më 31-01-2023, 11:54

Jorginho ndryshon “shtëpinë”. Nga Chelsea, ku mbërriti në vitin 2018, mesfushori blu po kalon tek Arsenali, i cili e zgjodhi atë për të forcuar mesfushën. Marrëveshja mes dy klubeve, pasojë e një negocimi të përshpejtuar në orët e fundit, u gjet mbi bazën e 15 milionë eurove. Mungon vetëm zyrtari.

Kontrata aktuale e Jorginhos skadonte në fund të sezonit dhe ishte praktikisht e sigurt se do të largohej nga Chelsea. U fol për rikthimin e tij në Itali, me idenë romantike të Napolit, apo për transferimin e tij te Barcelona, ​​që e ka vlerësuar prej disa kohësh. Megjithatë, blutë i kanë mbajtur gjithmonë sytë te Premier League, ku u përshtat shpejt, duke u bërë zëvendëskapiten i Chelsea.

Ai po lë pas 143 ndeshje dhe 21 gola ​​(19 nga penalltitë) në Premier League me blutë, të shpërndarë në katër sezone e gjysmë, me kulmin e arritur me Ligën e Kampionëve të fituar në vitin 2021. Në këtë sezon, Jorginho ka luajtur 18 ndeshje me Chelsea në Premier League dhe ka shënuar dy gola nga penalltia për gjithsej 1279 minuta në fushë.

Por diçka në marrëdhëniet e tij me Chelsea dukej se ishte prishur kohët e fundit, edhe për shkak se Potteri po përpiqet të rinovojnë skuadrën në mesfushë (N’Golo Kante gjithashtu duhet të largohet në fund të sezonit, kur i skadon kontrata), edhe për shkak se Jorginho nuk dukej se ishte në kontroll të mesfushës dhe në qendër të lojës si në vitet e kaluara.

“Topçinjtë” kishin kohë që kërkonin një përforcim për mesfushën e tyre. Emri i parë në listë ishte ai i Moises Caicedo, një 21-vjeçari që shpërtheu këtë vit te Brighton. “Pulëbardhat” e Roberto De Zerbit iu kanë thënë “jo” tri ofertave nga Arsenali, e fundit për 80 milionë euro.

Duke kuptuar se nuk mund ta bindnin Brighton, drejtuesit e Arsenalit u kthyen me nxitim nga Jorginho. Ideja është që ai do t’i japë një dorë në mesfushë Thomas Partey, 29-vjeçarit ganez që luan para mbrojtjes, por ka një histori të gjatë lëndimesh.

Arteta kishte nevojë për një njeri me përvojë për grupin e tij të të rinjve, një garanci për t’u alternuar mes atyre që tashmë ekzistojnë. Jorginho nuk vonoi shumë për t’u bindur dhe zgjodhi Arsenalin për të vazhduar aventurën e tij në Premier League. Rikthimi romantik në Itali do të duhet të presë.