Transmetuar më 02-03-2023, 18:43

Prishtinë- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një raportim që bëri në Kuvend në lidhje me takimet në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se referuar shembullit të dy Gjermanive, Kosova “një komb -dy shtete” mund të jetë vetëm me Shqipërinë e jo me Serbinë.

Ai shtoi se diçka të tillë ua ka bërë të qartë edhe emisarëve në Bruksel.

“Unë u kam thënë pesë emisarëve, po e them shumë hapur, unë e kuptoj idenë e tyre, për njohjen ‘de facto’ midis dy Gjermanive. Por konteksti historik dhe raportet janë krejtësisht të tjera. Unë ua kam thënë në secilin takim atyre, se nëse janë duke menduar gjermano-gjermane Kosova me Serbinë, unë filloj të ndjehem menjëherë francez.

Kjo ka qenë fjala ime, nëse ju besoni gjermano-gjermane Kosovë-Serbi, unë filloj të ndjehem francez, sepse dy shtete, një komb, jemi me Shqipërinë, jo me Serbinë. Por, formulimet që merren legalo-juridike dhe futen në këtë propozim, unë i trajtoj të dekonteksualizuara historikisht edhe ata nuk ia kanë vënë titullin mbi bazën e modelit të dy Gjermanive sepse ka edhe gjëra të ndryshme siç dihet”, tha ai para deputetëve.