Transmetuar më 27-03-2023, 21:30

Ngjarja e 27 marsit 2023 në mjediset e Top Channel është ndër të paktat më të rënda që kanë ndodhur në mediat shqiptare. Ajo që kujtohet si më e rënda ishte djegia e godinës së gazetës Koha Jonë. Por tani kemi një sulm me armë zjarri që vrau një njeri, 60 vjeçarin Pal Kola.

Krimi mbetet aktualisht pa autorë. Policia nuk është në gjendje së paku tani, ta zbardhë dhe rreziku është që edhe kjo ngjarje të arkivohet si pa autor, ashtu si plot të tjera vitet e fundit në Shqipëri.

Por para se të ndodhte ky sulm, duket se Top Channel ishte përfshirë nga disa lëvizje të rëndësishme.

Në janar 2023, Vjollca Hoxha, gruaja e themeluesit të ndjerë, Dritan Hoxha, u tërhoq si administratore. Vendin e saj e zuri e bija Lorela Hoxha.

Po atë muaj, më 14, sikurse doli në media, TV më i madh kombëtar në vend, Top Channel, u shit për 9 milionë euro, sipas një dokumenti që u publikua e ku thuhej se ishte arritur marrëveshje mes aksionerëve të TCH dhe shoqërisë “Western Media Conglomerate Investments LTD”.

Dokumentet tregojnë se vendimi është firmosur nga anëtarët e familjes Hoxha: Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Itan Hoxha dhe Redia Hoxha. Aksionerët kanë arritur dakordësi për shitjen e aksioneve në vlerën 9 milionë euro.

Gjithsesi në historikun e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit ky vendim nuk është reflektuar. Aty gjendet vendimi për emërimin deri më 2026 të Lorela Hoxhës si administratore. Gjithashtu gjendet dhe kapitali i kompanisë, pikërisht ekuivalenti në lekë i vlerës 9 milionë euro.

Disa thonë se vlera e kësaj kompanie është disa herë më e madhe.

Shitja e Top Channel u bë më 14 janar, 4 ditë para se Gjykata e Lartë të dilte me vendim për fatin e aksionerëve, pasi procesi i tej zgjatur për pronësinë e TCH pritej të merrte fund.

Gjithsesi Gjykata e Lartë rrëzoi ish aksionerët, Albert Sino dhe Aurel Baçi, partnerë të Dritan Hoxhës, të cilët pretendonin 60 % të aksioneve.

Kjo histori datonte që prej 9 majit 2016, kur familja Hoxha humbi gjyqin lidhur me aksionet e kompanisë.

Aksionet e TCH, pas vdekjes së Dritan Hoxhës i përkisnin 40 për qind gruas dhe fëmijëve të tij dhe 60 për qind, Sinos dhe Baçit, shokë të Dritan Hoxhës. Kalimi i aksioneve tek këta, u bë në 2007, pak kohë para se të vdiste Dritan Hoxha. Në atë kohë, ligji për mediat audiovizive nuk lejonte një pronar të vetëm me më shumë se 40% të një tv kombëtare.

Shitja e TCH u shoqërua me situata krahasimore sa i përket vijës editoriale. Në fundvitin 2022, TCH e largoi Sokol Ballën, një ithtar i Edi Ramës dhe dukshëm ishte kritik ndaj qeverisë, valë që u fashit pak muaj më pas.

Kryetari i opozitës Sali Berisha, akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën se fshihet pas shitblerjes së TCH.

“Ky është një veprim i pashembullt, asgjësimi i një televizioni kombëtar, me licencë kombëtare, tjetërsimi i tij në kundërshtim me çdo rregull, përbën një veprim të tmerrshëm mafioz, personalisht të Edi Ramës dhe klanit të tij.

Një televizion kombëtar ka marrë një valë dhe frekuencë kombëtare. Këto janë pasuri publike. Ato nuk privatizohen. Asnjë televizion nuk mund të përfundojë në Belizë të Edi Ramës, Erion Veliajt, të këtyre mafiozëve që nuk kanë ligj, moral dhe asgjë tjetër” deklaroi kryedemokrati gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

Berisha tregoi me gishtë të venë e Dritan Hoxhës, Vjollca Hoxha se kishte përdorur kritikat e një periudhe ndaj qeverisë për ta detyruar Ramën dhe Veliajn të hedhin paratë për blerejen e ekranit më të madh kombëtar në vend.

E gjithë kjo dinamikë, pasoi ngjarjen e 27 marsit. Një krim që në rrjete sociale, shumë besuan se ishte sulm hakmarrës i lidhur me ecejaket e banorëve të Big Brother Vip, por që nga vetë skema e krimit duket të ketë qenë diçka më e sofistikuar dhe më e thellë.

Në deklaratën e gjatë për shtyp që nxori TCH, thekson disa herë se ishte një akt terrorist dhe ndër të tjera nënvizon: "Top Channel, aksionerët e tij e familjarët, drejtuesit, gazetarët e autorët, nuk kanë e nuk ka qënë kurrë objektiv i ndonjë sulmi individual që prej themelimit të tij, gjithçka në këtë akt terrorist, lidhet dhe ka të bëjë vetëm me misionin e Top Channel". Kjo deklaratë duket se kërkon të përjashtojë çdo pistë tjetër që është diskutuar në media.

Sidoqoftë, ajo që ndodhi me Top Channel është një ngjarje e shëmtuar dhe e papranueshme. Ajo meriton dënim të plotë nga drejtësia dhe solidaritet mbështetës nga të gjithë. /noa.al

Fotot në galeri: NOA/LSA