Transmetuar më 28-03-2023, 13:18

Hagë- Ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, do ti zgjatet masa e paraburgimit.

Prokuroria Speciale e Hagës ka kërkuar që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Sipas arsyetimit të ZPS-së, paraburgimi i Thaçit është i arsyeshëm në rrethanat aktuale kur procesi i gjykimit ndaj tij do të fillojë së shpejti.

“Në këtë drejtim, Paneli rikujton se arsyetueshmëria e vazhdimit të paraburgimit të një të akuzuari duhet të vlerësohet në faktet e secilit rast dhe sipas veçorive të tij, të cilat në këtë rast, përfshijnë: (i) ndikimin dhe autoritetin e z. Thaçi; (ii) njohuritë e tij për akuzat dhe provat kundër tij, dhe mundësia e një dënimi më burgim të gjatë; (iii) rreziku që z. Thaçi do të pengonte procedurat e KS; (iv) rrezikun e kryerjes, nxitjes ose ndihmës për krime të mëtejshme; (v) faktin që masat kufizuese për lirimi nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet; (vi) peshën dhe kompleksitetin e akuzave kundër z. Thaçi; dhe (vii) fakti që vazhdon të bëhet progres drejt fillimit të gjykimit.”, thuhet në parashtresën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë së Hagës një masë e tillë është e nevojshme dhe e arsyeshme për shkak të rrethanave specifike të rastit.

“Për arsyet e lartëpërmendura, Prokuroria me respekt kërkon që Thaçi duhet të mbetet në paraburgim”, thuhet në shkresën e Prokurorisë Speciale.