Transmetuar më 22-04-2023, 18:14

Beograd- Trondit me deklaratën e tij presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Gjithçka ndodh një ditë para zgjedhjeve të pjesshme lokale që do të mbahen në 4 komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sipas tij, pas formimit të institucioneve të reja lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, ku shumica e popullsisë është serbe, do të ketë “pushtim të plotë”. Mediat serbe shkruajnë se me një shprehje të tillë, Vuçiç i është referuar faktit që në garë nuk janë regjistruar kandidatë serbë, anëtarë të Listës Serbe dhe në këtë mënyrë qytetarët nuk do kenë përfaqësues të zgjedhur. Anëtarët e Listës Serbe kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet, duke ndjekur udhëzimet e dhëna nga Beogradi.

“Nesër, populli ynë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t’i shikojnë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta, do të ngremë standardet dhe do të presim për kohë më të mirë në të cilën, Karta e OKB-së do të jetë e vlefshme si dhe e drejta publike ndërkombëtare”, tha Vuçiç të shtunën. Ai nuk la pa komentuar edhe deklaratën e zëdhënsit të Bashkimit Evropian, Peter Stano i cili tha se BE është i zhgënjyer nga bojkoti në zgjedhje i Listës Serbe. Vuçiç tha se serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në disa cikle zgjedhore, por tani ata nuk duhet të marrin pjesë para se të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve në veri të vendit që të dalin në zgjedhje për t’u dhënë mesazh të fortë atyre të cilët i kanë kërcënuar vazhdimisht që të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor.