Transmetuar më 23-04-2023, 19:55

Nëse golat me roveshatë apo me gjuajtje “gërshërë” vlerësohen si shumë të veçantë dhe spektakolarë, padyshim një nga golat më të vështirë për t’u realizuar është ai i ashtuquajtur “goditja e akrepit”.

Gjuajtja akrobatike me thembër është shumë e rrallë dhe pakkush mund të mburret se ka shënuar gola të tillë në nivelet më të larta të futbollit botëror.

Messi dhe Ronaldo për shembull, ndonëse prej më shumë se një dekade e gjysmë kanë tundur rrjetën rregullisht duke vendosur rekord pas rekordi, nuk ia kanë dalë asnjëherë të shënojnë një gol të tillë.

Por sot një “goditje akrepi” ka përfunduar në rrjetë në Premier Ligë, në ndeshjen mes Bornmuth dhe Uest Hem. Miqtë fituan 4-0 dhe goli që vulosi rezultatin përfundimtar të sfidës u shënua nga spanjolli Pablo Fornals, i cili ia doli të mposhte portierin vendas për të vulosur një sukses shumë të rëndësishëm për ekipin e tij, i cili i është larguar kështu zonës së ftohtë të klasifikimit.