Transmetuar më 26-04-2023, 21:54

Dikur, 7 fshatrat e Kaçinarit në Mirditë, gëlonin nga jeta…të vendosur në një territor të thyer, por të bekuar me diell e ujë, në këtë zonë jetonin rreth 7 mijë banorë.

Sot banorët e përhershëm të kësaj zone janë shumë të rrallë, pasi edhe këto fshatra kanë rënë në grackën e braktisjes masive. Madje fshati Kuzhnen është zhdukur krejtësisht, pasi në të nuk banon më askush.

Fshehur mes kodrave të shumta, për të mbërritur në Kaçinarin vetëm 23 kilometra nga qyteti i Rrëshenit, të duhet më shumë se një orë, në një rrugë që nuk ka parë kurrë asfalt me sy…

I harruar nga politika dhe pushtetarët, i vetmi vizitor në këto zona të thella është prifti katolik Dom Gjergj Meta. Ai vjen çdo të shtunë për tu dhënë ushqim për shpirtin atyre pak qëndrestarëve që kanë mbetur në tokën e të parëve dhe merr me vete gjithë betejën e tyre për të mbijetuar.

Është e shtuna e pashkëve katolike dhe në kishën e fshatit Simon ka më shumë njerëz se zakonisht. Shumica nuk banojnë prej vitesh më këtu, por kanë ardhur të festojnë pashkët me prindërit. … Në këtë fshat nuk ka mbetur më asnjë fëmijë pasi nuk ka rrugë, as shkollë e as qendër shëndetësore. Zëri i të vetmes vogëlushe që ka ardhur për vizitë tek gjyshërit, e bën më tronditëse braktisjen e zonës.

Fshati Simon është një ndër më të shpopulluarit. Aktualisht këtu jetojnë vetëm18 familje nga 150 familje që jetonin deri në vitet 2000. Por edhe këto 18 familje nuk e kalojmë më shumë se tre anëtarë secila, ku mosha mesatare është diku te 50-60 vjeç.

“Po të shohim pjesën matanë lumit, ku janë rreth 30 shtëpia jetojnë vetëm 3 familje. Sigurisht në këto kushte nuk mund të jetojnë më shumë”, u shpreh Dom Gjergj Meta. Dom Gjergj Meta rrëfen se çdo herë që e merr rrugën drejt këtyre fshatrave, i mbushet zemra me dhimbje për harresën e pakuptimtë ndaj tyre.

“Ata që jetojnë këtu duan të jetojnë këtu. sepse ato thonë që ky vend jetohet, por ne kemi nevojë për një rrugë, për një shkollë, për një ambulancë, por kjo tokë jetohet. Toka është e mirë, fruta, perime, po të ishte rruga nga Rrësheni këtu janë vetëm 20 minuta. Këtu është një mrekulli, gjynah”, tha Dom Gjergj Meta.

Në fshatin Kaçinar, që është qendër administrative, të vdekurit janë më të shumtë se të gjallët e mbetur këtu. Në luftë me harresën, shkolla që dikur kishte rreth 300 fëmijë, tashmë ka vetëm 5 nxënës. Qendra shëndetësore është krejtësisht e amortizuar dhe shenjat e rrënimit duken kudo. Inside Story