Transmetuar më 17-05-2023, 16:09

Ish kryeministri Sali Berisha doli sot para mediave për të zbardhur siç tha, skemën shtetërore të blerjes masive të votave nga regjimi.

Ai tha se për blerjen e votave u përdorën qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve dhe se 850 mijë qytetarë me të drejtë vote përfituan fonde para ditës së votimit me qëllim që votat e tyre të bliheshin.

"Farsa elektorale 2023 u karakterizua me akte antiligjore dhe antikkushtetuese, me të cilat qeveria kontrolloi në mbarë vendin rezultatin e zgjedhjeve.

Në këto zgjedhje vota e lirë u shit-ble më shumë si kurrë më parë dhe vdiq pa hyrë në kuti.

20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike në mbarë vendin dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës të përkohshëm pa kontratë.

Fondi i ndihmës ekonomike dhe pagesat për aftësi ndryshe u rritën në këtë fushatë me 900 mln lekë në krahasim me vitin e kaluar.

Mbi 4 miliardë lekë u tenderuan për ndërtimin e banesave nga tërmeti".

Berisha renditi dhe ato që i cilësoi fakte të shitblerjes së votës: "Me qëllim për të blerë haptas apo influencuar votën, në dhunim flagrant të të Kodit të Venecias, kartës së Kopenhagenit për zgjedhjet e lira dhe Kodit Elektoral, qeveria si kurrë ndonjë herë më parë këto 32 vite, shpërndau gjatë fushatës zgjedhor për 670 mijë pensionistë bonus 5000 lek secilit, të barabarta me 33 milionë.

Me qëllim blerjen haptas apo ndikimin e votës së qytetarëve shqiptarë, qeveria si kurrë ndonjëherë më pare, rriti në mes të fushatës elektorale rrrogat për afro 200 mijë punonjës të administratës.

Me qëllimin e ndikimit ose blerjen e votës gjatë periudhës elektorale 13 mijë qytetarë u futën në skemën e pensioneve pa kontribute shoqërore.

Për blerjen edhe ndikimin e kahjes së votës, mbi 20 mijë vetë u shtuan në ndihmën ekonomike në mbarë vendin dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës të përkohshëm pa kontratë.

Fondi i ndihmës ekonomike dhe pagesat për aftësi ndryshe, u rritën 900 milionë lekë krahasuar me një vit më parë. Vetëm në Peshkopi u disbursua gjatë kësaj fushate 400 milionë lekë për indivitë me aftësi të kufizuara.

Nga të gjitha këto shuma të marra së bashku, rezulton se përfituan para shtesë në xhepin e tyre rreth 850 mijë qytetarë me të drejtë vote, me qëllimin e vetëm për të ndikuar dhe blerë haptas votën e tyre.

Përveç këtyre formave, u përdorën edhe forma të tjera të hapura antiligjore si subvencionet, prokurimet dhe tenderat fiktive".

Berisha tha se, opozita dëshmoi se është e paasgjësueshme sepse 500 mijë qytetarë votuan për të.

Ai u shpreh se, në kundërshtim me çdo lloj parimi dhe ligji, PD, forca kryesore opozitare u fut në zgjedhje pa logo dhe emri i kryetarit të koalicionit u refuzua në mënyrën më staliniste.

Berisha tha se, nuk ka zgjedhje të lira me Ramën dhe se do të mbrojë votën e lirë. Ai u shpreh se, do të ketë një analizë të plotë në PD të rezultatit të zgjedhjeve. /noa.al