Transmetuar më 22-05-2023, 05:23

Ajo donte t’i jepte fund të gjithave, por, ndoshta e verbuar nga dhimbja dhe dëshpërimi, donte të merrte me vete edhe pasurinë e saj më të çmuar, djalin e saj 4-vjeçar, në udhëtimin e saj të fundit.

Ajo që të paktën në dukje shihet të jetë një vetëvrasje, i ka tronditur të gjithë.

Gruaja dyshohet se ka marrë fëmijën në krahë dhe së bashku kanë fluturuar nga ura, 90 metra më poshtë, drejt një përroi.

Tragjedia e tmerrshme u zbulua mëngjesin e së dielës në Val di Sole, rrëzë urës Mostizzolo, në Trentino Alto Adige, Itali, raporton noa.al.

Viktima është 41-vjeçarja Veronica Amistadi, e cila vdiq së bashku me djalin e saj katër vjeçar.

Alarmi është dhënë mbrëmjen e së dielës nga disa shoferë kalimtarë të cilët kanë vënë re praninë e një makine të parkuar në anë të rrugës, mu mbi urë, me dritat anësore të ndezura.

Dyert e automjetit ishin të hapura, por brenda nuk kishte njeri dhe kjo ngjalli menjëherë shqetësimin më të madh, duke pasur parasysh edhe reputacionin e trishtë të urës, e njohur për numrin e lartë të vetëvrasjeve të ndodhura në të kaluarën.

Më pas nisën operacionet e kërkimit, të kryera nga ekipet e zjarrfikësve dhe një helikopter.

Por vetëm në të gdhirë sot, dy trupat e pajetë, u gjetën në shtratin e përroit.

Gruaja u identifikua në sajë të dokumenteve që ndodheshin në makinën e parkuar në urë.

Shqetësim dhe dhimbje si në Trento, ku ajo jetonte, ashtu edhe në komunitetin malor të Sella Giudicarie, prej nga ishte 41-vjeçarja.

Dhe kryetari i bashkisë Sella Giudicarie, Franco Bazzoli, ka dashur të shprehë dhimbjen e tij: “E njihja shumë mirë Veronikën, nuk i mungonte asgjë dhe nuk mund ta shpjegoj këtë tragjedi: E kisha parë të dielën e kaluar, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë një gjë të tillë”, deklaroi kryebashkiaku. /noa.al