Transmetuar më 23-05-2023, 14:11

Finalja e Ligës së Kampionëve mes Interit dhe Manchester City do të luhet më 10 qershor. Skuadra angleze mposhti Real Madridin në gjysmëfinale, me rezultatin e jashtëzakonshëm 4-0 në ndeshjen e dytë, pasi ballafaqimi i parë në “Bernabeu” kishte përfunduar me barazimin 1-1.

Skuadra e Pep Guardiolës konsiderohet si e pandalshme këtë sezon, ka fituar gjithçka i ka dalë përpara, ndaj konsiderohet gjerësisht si favorite absolute për ta fituar finale e Stambollit. Shanset e “qytetarëve” shtohen maksimalisht edhe për faktin se ka në radhët e tyre një bomber të vërtetë, me siguri “Topi i Artë” i ardhshëm, Erling Haaland.

Sulmuesi norvegjez në fjalë ka shënuar 52 gola këtë edicion, deri më tani, në të gjitha garat. Kështu, gazetari i emisionit të njohur në “Italia 1”, “Le Iene”, fluturoi drejt Manchesterit. Ai “zuri pritë” në hyrje të stadiumit “Etihad”, ku lojtarët ishin gati të mbërrinin, për t’ia dorëzuar ekipit kampion të Anglisë trofeun e Champions League (imitim) “paradhënie”, ngaqë finalja do të luhet më 10 qershor.

Kapiteni lkay Gündogan, i cili sapo kishte shijuar fitimin e titullit të Premier League, ishte i pari që mori trofeun nga i dërguari Stefano Corti dhe e ngriti atë, duke shtuar se, për fat të mirë, nuk do t’i jepte autograf. Por çuditërisht ka qenë trajneri i skuadrës, Pep Guardiola, ai që e ka marrë me vete trofeun, pasi i tha gazetarit: “Faleminderit, je shumë simpatik”.

Mbetet të shihet si do të “përtypet” ky veprim i një emisioni televiziv italian tek Interi, finalisti tjetër italian i Champions League… A do të shihet si injorim i forcës së zikaltërve në raport me Manchester City, meqë trofeu i Champions-it iu dorëzua nga vetë italianët paraprakisht Guardiolës, apo si një truk për t’i thënë se kaq meriton, sepse atë të vërtetin në Stamboll do ta marrë Simone Inzaghi.