Transmetuar më 24-05-2023, 07:36

Vëllai më i madh i Cristiano Ronaldos, Hugo dos Santos Aveiro, akuzohet për mashtrim kundër kompanisë “Torino Pegaso”. Akuza është zyrtarizuar nga zyra e prokurorit publik të Torinos. Në fakt, njeriu i afërt i yllit portugez dyshohet se prodhoi rreth 13.000 fanella të CR7 me Juventusin, që janë plotësisht identike me ato origjinale, të shoqëruara me emrin dhe numrin e sulmuesit luzitan. Vetëm një detaj i vogël i bën ato të ndryshme nga fanellat origjinale të klubit të Juventusit.

Procesi gjyqësor ndaj vëllait të CR7 filloi në vitin 2019, por vetëm sot prokurori përfundoi hetimet, duke e dërguar Hugo në gjyq. Më 25 korrik, katër vite më parë, kompania “Pegaso” kishte nënshkruar një kontratë me të për prodhimin e disa veshjeve sportive të frymëzuara nga Juventusi, për ta prishur më pas marrëveshjen për konkurrencë të pandershme dhe të konsideruar false.

Seanca është caktuar për më 20 qershor dhe akuza është ajo e mashtrimit. Vëllai i pesë herë fituesit të “Topit të Artë” prodhoi rreth 13.000 uniforma bardhezi të CR7, plotësisht identike me ato zyrtare të prodhuara nga Adidas atë sezon, me të vetmen shtesë përpara një logo të vogël “CR7Museum”, e menaxhuar nga kompania e tij.

Megjithatë, shenja dalluese nuk mjaftoi për të nxjerrë në pah ndryshimin me uniformat zyrtare të klubit të Juventusit. Bluzat e prodhuara për llogari të Hugo u konsideruan si kopje e paligjshme, duke u bërë kështu false.

Vlera e kontratës ishte rreth 650.000 euro dhe “Pegaso” kishte marrë siguri nga vëllai i Cristiano Ronaldos. Sipas Hugo, Juve i kishte dhënë atij pëlqimin për të prodhuar fanellat me emrin dhe numrin e vëllait të tij, një pohim që në vend të kësaj rezultoi i pavërtetë, duke pasur parasysh se klubi bardhezi nuk ishte në dijeni të planeve të tij. Kompania torineze ka ngritur tashmë një padi civile për gjykimin që do të zhvillohet në fund të muajit të ardhshëm.