Transmetuar më 24-05-2023, 12:38

Mbetet të luhen dy javët e fundit të Kategorisë Superiore, për të zbuluar verdiktet e sezonit. Tirana kryeson për momentin me 63 pikë, e ndjekur nga Partizani me 61 pikë. Diferenca prej dy pikësh e mban të ndezur garën për titullin deri në vërshëllimën e fundit mes dy skuadrave kryeqytetase, të cilat do t’i luajnë dy sfidat në vijim kështu: Bardheblutë ndaj Bylisit dhe Erzenit, ndërsa të kuqtë ndaj Kastriotit dhe Teutës.

Trajneri Giovani Colella pret ta gabojë Tirana për të përfituar, teksa derbin direkt nuk e fitoi dot (barazoi 1-1), ndaj nuk është më në dorë të të tijve. Po, të kuqtë kanë detyrimin për t’i fituar dy ndeshjet e fundit të kampionatit për vete, për të shpresuar në ndonjë “asist” të Bylisit apo Erzenit, dy skuadra që luftojnë për mbijetesë. Në prag të ndeshjes ndaj Kastriotit, trajneri Colella nënvizoi:

Cila është gjendja e skuadrës?

Nuk kemi probleme të veçanta. Nuk kemi asnjë problem. Bilali ka pasur probleme fizike, asgjë serioze.

A mund ta ndalë Bylisi një kryesues si Tirana?

Pse jo, mund të ndodhë. Unë nuk bëj llogari për të tjerët, por për vete. Në futboll gjithçka mund të ndodhë.

Cilat janë llogaritë tuaja?

Duke parë që kanë mbetur edhe 2 ndeshje, është normale të ketë llogari të tilla. Duke mos e fituar derbin, kemi mundësi të bëjmë llogari për kundërshtarin. Kush është ndjekës bën llogari e kush kryeson jo. Janë 3 skuadra për mbijetesë dhe një përballet me ne e tjetra me Tiranën.

Kastrioti i dorëzuar?

Nuk e kam dëgjuar Çelën, por edhe unë kam thënë më parë nuk jemi në luftë për titull. Mund të ndodhë gjithçka, por ne që jemi ndjekës na mbetet vetëm të shpresojmë.

A ju kënaq vendi i dytë?

Jo, nuk mund të më kënaq, por nëse e meritojmë do ta pranojmë. Në jetë ka shumë objektiva, të cilat shpeshherë nuk arrijmë që t’i realizojmë. Janë gjëra që ndodhin në jetë. Me vendin e dytë nuk jam aspak i kënaqur. Sigurisht duhet bërë edhe një analizë e thellë për çfarë kemi dhënë gjatë sezonit.

Kalendar i favorshëm?

Kush e thotë këtë? Nuk mendoj se stadiumi bën diferencën, as kalendari për 2 ndeshje. Kalendari ka 36 ndeshje dhe jo vetëm 2 të fundit. Kështu bëhet analizimi i kalendarit gjatë gjithë sezonit. Nëse më pyesni se mos e kemi humbim titullin në dy ndeshjet e fundit, do të thoja në vazhdim të kampionatit. Këtë do ta diskutojmë të hënën, pas ndeshjes.

Mba dhe Da Silva?

Mbas shumë vitesh je në gjendje të kuptosh diçka, çfarë bëhet mirë e çfarë jo. Nuk mendoj se ka një fenomen, por gjatë merkatos së janarit larguam Skukën dhe morën Selmanin, që u dëmtua. Sipas meje. në këtë pikë kemi bërë një punë mjaft të mirë.

Ndjekja e ndeshjeve të tjera?

Nuk është se shkoj shpesh, por shkoj më shumë për të parë lojtarë. Për ne është normale që të shohim jo vetëm ndeshjet, por edhe elementë të ndryshëm. Në momentet kur jam në pauzë, shikoj të shoh kolegët e mi. Është mirë që trajneri të përmirësohet, këtë e kam bërë gjithë jetën time. Nuk është qëllimi që të ndjek vetëm kundërshtarët, por edhe ambientin. Është normale të shohësh ndeshjet e të tjerëve dhe të përmirësohesh. Kam parë edhe ndeshje të moshave.

Keko i Korabit?

Mendoj se është shumë i mirë. Jam i kënaqur që kemi bërë një zgjidhje të tillë në janar. Zgjedhja e Kekos është për vazhdimësinë. Partizani duhet të investojë kohë dhe para në lojtarët vendas.