Transmetuar më 24-05-2023, 13:54

Dy ndeshjet e fundit të kampionatit janë si dy “finale” për Tiranën kryesuese të Superiores. Nesër do të sfidojë Bylisin në fushën asnjanëse të Rrogozhinës, që lufton për mbijetesë, ndërsa javën e fundit Erzenin.

Bardheblutë e Orges Shehit kanë dy pikë më shumë se Partizani për momentin, janë favoritët kryesorë për ta fituar titullin kampion. Megjithatë, trajneri i tyre bën thirrje për përqendrim maksimal, sepse asgjë nuk ka mbaruar:

“Është ndeshja e parafundit e kampionatit, pas një rrugëtimi të gjatë. Që të shkojmë deri në fund duhet të kalojmë edhe këto dy pengesa. Njëra është e nesërmja, ku na duhet të jemi gjakftohtë dhe të uritur për çdo situatë që mund të na sjellë loja, duke e ditur që janë shumë pak minuta deri në fund.

Nuk ka kohë për të korigjuar gabimet, këto ditë kemi rikuperuar energji pas ngjeshjes së kampionatit dhe pjesa më e madhe e lojtarëve tanë, janë ata që hidhen rregullisht në fushë. Pra, apeloj për përqendrim dhe vlerësim maksimal të ndeshjes së nesërme.

Ne do të bëjmë maksimumin dhe më të mirën, pastaj fati është i rëndësishëm kudo dhe jo vetëm në futboll. Por është gabuar që të shkosh në një betejë dhe t’ia lësh fitoren në dorë fatit.

Tani ndeshjet janë afër, fokusi është te përqendrimi. Nuk ka nevojë për të ulur impenjimin dhe seriozitetin, pasi për 5 ditë mund të marrim shpërblimin e çfarë kemi punuar në të gjithë vitin. Nuk duhet të mungojë serioziteti dhe gatishmëria në ditët e mbetura.

Gjendja është po e njëjtë, Lushkja mungon, për Behiratçen pritet të paguhet gjoba. Pjesa tjetër është e njëjtë si në ndeshjen e fundit. Edhe kundërshtari do të bëjë më të mirën e vet për t’u ngjitur në renditje. Bylis ka kualitet në skuadër, presim ditën e nesërme për të shikuar se çfarë do të prodhojë fusha. Çdo skuadër ka objektiva, por ne shohim punën tonë.

Ne e kemi fatin në dorën tonë. Nuk di të ketë ndeshje të lehta, kështu që nuk mund të them kush ka përballje më të forta. Jemi gjithmonë konkurrentë, por kemi pasur probleme me lojtarët, largime, dëmtime. Në fillim mendoja se do të ishte edhe Vllaznia afër nesh, por tashmë titulli nuk është një garë treshe, por dyshe, me dy skuadra që kanë investuar për të qenë këtu ku janë.