Transmetuar më 24-05-2023, 14:25

Pep Guardiola po kërkon Ligën e parë të Kampionëve në krye të Manchester City dhe ‘tripletën’ e pabesueshme sezonale. Interi është pengesë në rrugën e tij, një rival i kalueshëm për të gjithë bastvënësit. Por trajneri katalanas nuk iu beson të tilla parashikimeve.

“Fillova të shikoja disa minuta Interin, e vëzhgova në disa situata dhe jam shumë i impresionuar, – tha ai për “Gazzetta dello Sport”. – Zikaltrit më bënë përshtypje me çfarë demonstrojnë në fushën e lojës, edhe me gjuhën e tyre trupore. Fillova t’i shikoja, telefonova disa miq që jetojnë në Itali për të ditur mendimin e tyre mbi Interin.

Të gjithë më thanë të qëndroja vigjilent sepse janë seriozë. Në fakt, nuk ishte nevoja të ma thoshin këtë; tashmë e kuptova duke parë ato pak minuta, ato situata. Sigurisht që Interi mund të na mundë. Ai e kanë fituar këtë trofe tri herë, ndërsa ne asnjë. Sidoqoftë, ne duam të luajmë më të mirën në mënyrë që kësaj here të mos dështojmë në finale".

Guardiola paralajmëron lojtarët e tij dhe të gjithë ata që besojnë se 10 qershori në Stamboll do të jetë pak më shumë se një piknik: "Nuk është rastësi që janë 3 skuadra italiane në finalet e tri kupave europiane dhe të tjerat kanë luajtur në gjysmëfinale. Kam luajtur në Itali, e di mentalitetin që kanë ekipet italiane në finale.

Le të mos harrojmë se 20 vite më parë, Seria A ishte liga më e mirë në botë dhe të gjithë, lojtarë e trajnerë, donin të shkonin atje. Mos harroni se Italia e ka fituar Kupën e Botës katër herë. Italianët ende e kanë atë mentalitet, kjo është arsyeja pse unë mendoj se finalja ndaj Interit do të jetë e komplikuar”.

Trajneri i Manchester City, pavarësisht se ka fituar shumë në Angli, është i vetëdijshëm se puna e tij nuk do të vlerësohet plotësisht derisa të ngrejë në qiell Ligën e Kampionëve: “Që kur kam mbërritur këtu kemi fituar shumë. Ndonjëherë mendoj se është e padrejtë që nevojitet Liga e Kampionëve për të marrë meritat e asaj që kemi bërë, por kështu është dhe duhet ta pranojmë.

E di, nuk do të jemi të kompletuar pa fituar edhe Ligën e Kampionëve. Ndonjëherë, të luash me këtë presion është e mrekullueshme, e nevojshme. Shpesh flasim me njëri-tjetrin, themi se duhet ta bëjmë. Por në të njëjtën kohë, nëse nuk e fitojmë Ligën e Kampionëve këtë edicion, nuk do të dorëzohemi. Jam i sigurt që herët a vonë do ta fitojmë. Tani kemi shansin të jemi në finale dhe duhet të provojmë".