Transmetuar më 25-05-2023, 08:26

Një nga portierët më të mirë të Spanjës gjatë dekadës së fundit, Pepe Reina, luajti mbrëmë ndeshjen e tij të 1000-të zyrtare në karrierë. Në mbrojtje të portës së Villarrealit, 40-vjeçari e arriti këtë shifër të jashtëzakonshme në duelin kundër Cádiz. Ai mori vlerësimet e duhura me këtë rast nga klubi.

Përpara se topi të rrotullohej nga mesi i fushës, portieri mori një skulpturë qeramike që përfaqëson dorezat e futbollit. Punimi iu dorëzua nga Marcos Senna, ish-lojtar spanjollo-brazilian dhe tashmë ambasador i Villarreal. Edhe familja e Reina ka hyrë në fushë për ta përshëndetur atë.

Villarreal dëshironte të tregonte dashurinë për portierin verdhezi para ndeshjes duke shfaqur një baner spektakolar në tribunën e stadiumit, me një foto të tij dhe numrin e ndeshjeve që ka luajtur në karrierën e tij të suksesshme.

Karriera e tij është një trajektore e gjatë, mbresëlënëse. Pepe Reina e bëri debutimin e tij profesional me Barcelona B (41 ndeshje) dhe, që atëherë, ka qenë në portë për ekipin e parë të Barcelonës (49 ndeshje), Villarreal (178), Liverpool (394), Napoli (182), Bayern Munich (3), Milan (13), Aston Villa (12), Lazio (54) dhe kombëtarja spanjolle në nivele të ndryshme (74).

Portieri spanjoll është tani në sezonin e tij të katërt me Villarrealin. Reina, i cili bëri debutimin e tij për Villarrealin në sezonin 2002-2003, u bë shpejt titullar. Këtë sezon, Reina ka luajtur 20 ndeshje si startues dhe e ka mbajtur pesë herë portën e tij të paprekur.

Me këtë rekord spektakolar (1000 ndeshje), Pepe Reina i bashkohet klubit të përzgjedhur të lojtarëve historikë si Cristiano Ronaldo, Gianluigi Buffon, Xavi Hernández, Iker Casillas dhe Leo Messi, ndër të tjerë, të cilët kanë kapërcyer barrierën e 1000 ndeshjeve si profesionistë.