Transmetuar më 25-05-2023, 11:31

Kanë mbetur vetëm dy ndeshje deri në përfundim të kampionatit të Arabisë Saudite, të cilat do të shënojnë kështu fundin e sezonit të parë të Cristiano Ronaldos me Al-Nassr.

Skuadra e tij është ende në luftë për titullin e Ligës Pro Saudite, duke qenë tri pikë prapa Al Ittihad, aktualisht kryesues. Ajo që shqetëson tifozët e Al-Nassr, megjithatë, ka të bëjë me të ardhmen e CR7.

Me mbërritjen e tij tek Al-Nassr në janar, Cristiano Ronaldo nënshkroi një kontratë 2-vjeçare. Ditët e fundit, megjithatë, kampioni portugez ka përfunduar në qendër të thashethemeve të merkatos që e panë atë të largohej nga klubi qysh në sezonin e ardhshëm.

Këto janë deklaratat e yllit portugez në mikrofonat e SSC për kampionatin saudit dhe të ardhmen, të cilat sugjerojnë se fati i tij nuk është domosdoshmërisht larg klubit saudit: "Kampionati vazhdon të përmirësohet, viti i ardhshëm do të jetë më i bukur.

Mendoj pak nga pak, kjo ligë mund të jetë ndër pesë më të mirat në botë. Megjithatë, kërkohet kohë, lojtarë dhe infrastrukturë. Mendoj se vendi ka potencial të jashtëzakonshëm, e ardhmja do të jetë fantastike".