Transmetuar më 26-05-2023, 12:07

Kukës- Policia e Kukësit jep informacion zyrtar për operacionin policor të koduar “Strukturimi” i finalizuar së bashku me policinë kufitare dhe Policinë e Kosovës.

Një grup i strukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së është goditur.

Më pranga kanë rënë shtetasit: Ayoub Bahhoo, Muhaned Nasir, Nagid Alabdahah, Muhamed Shehab, Mohamed Radawin dhe Rabii Lqadi, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Sultan Grimashi.

Të armatosur organizonin dhe drejtonin veprimtarinë kriminale të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga vendet e treta, përmes kufijve të gjelbër, mes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, vihen në pranga 6 shtetas sirianë dhe algjerianë, si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër algjerian.

Operacioni policor i koduar "Strukturimi" është zhvilluar në bashkëpunim mes Shërbimeve të DVP Kukës dhe Policisë Kufitare të PKK Morinë, me synimin e goditjes së një grupi të organizuar kriminal që kryente aktivitetin e dhënies së ndihmës për emigrantët për kalim të paligjshëm të kufirit. Pas informacioneve të siguruara për aktivitetin kriminal, shërbimet e policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj në fshatin Morinë, në kufirin me Kosovën.

Policia i ka kërkuar grupit që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë, duke kërcënuar seriozisht jetën e tyre. Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Kosovës, kufiri është bllokuar në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e policisë kanë arritur të arrestojnë 6 prej tyre.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane. Ata janë akuzuar për veprat penale të vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit në tentativë, prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, si dhe ndihmën për kalim të paligjshëm të kufijve.

Shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, është shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Operacioni vazhdon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast dhe kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për hetime të mëtejshme.