Transmetuar më 27-05-2023, 12:24

ITALI- Nadire Kurti, 69-vjeçarja shqiptare është dënuar sot nga Gjykata e Asamblesë së Rovigos me 14 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e bashkëshortit të saj 72-vjeçar Shefki Kurti. Sipas mediave italiane, trupi i burrit ishte copëtuar dhe më pas ishte vendosur në disa thasë plehrash të hedhura në kanalin Adigetto.

Gruaja kishte rrëfyer më 18 gusht të shkuar dhe shpjegoi se kishte përdorur thika për të vrarë dhe copëtuar burrin e saj, që të mund ta transportonte më lehtë drejt Adigetto-s. Zbulimi i pjesëve të trupit u bë më 31 gusht, kur këmba e tij e djathtë doli në sipërfaqe, e më pas hetuesit gjetën edhe pjesët e tjera të trupit të copëtuar të shqiptarit.

Prokurori shpjegoi se brutaliteti i këtij krimi i kishte bërë hetuesit që të mendonin pista të tjera fillimisht. Në fakt së pari u fol për një lidhje me krimin e organizuar, më pas u mendua se kishte probleme familjare. Por më vonë u zbulua se Nadirja kishte probleme psikologjike. Prej vitesh ajo ndiqej nga një psikiatër. Po ashtu, ajo ishte e shtruar në psikiatri në Gusht të vitit të kaluar për simptoma të çrregullimit të personalitetit. Nadire Kurti ishte e bindur se bashkëshorti i saj e tradhëtonte me një grua shqiptare ,e cila i kishte kërkuar 90 mijë euro.

"Më keqtrajtonte, më rrihte, më kërkonte që të ikja se do të shishte shtëpinë. Më kishte kërcënuar disa herë se do më vriste e do më bënte copë copë, dhe atë ditë më kërcënoi o do vdisja une o do vdiste ai,"- kështu ka deklaruar ajo gjatë rrëfimit të saj. Derisa më pas e vrau. Në fund ajo u shpall fajtore.