Transmetuar më 29-05-2023, 20:31

Sibora Gagani ishte vetëm 22-vjeçe kur u zhduk pa gjurmë në Spanjë. E reja me origjinë shqiptare, por që jetonte në Itali, ishte larguar drejt Spanjës me të dashurin e saj, italianin Marco Gaio Romeo. Sipas mediave të huaja, Sibora u zhduk në Korrik të 2014-s, pa lënë gjurmë e pa marrë asnjë nga shtëpia ku jetonte me partnerin e saj, në Torremolinos.

Për vite me radhë familja e së resë u përpoq të mësonte për fatin e saj, por pa sukses. Dosja për zhdukjen e Siborës mbeti e pazbardhur, ndërsa rasti u trajtua edhe në programin italian “Chi l‘ha visto?”. E teksa shpresat për të mësuar mbi fatin e saj veniteshin çdo ditë e më shumë, një ngjarje e rëndë e ndodhur më 17 Maj, në Torremolinos të Spanjës, do të ndryshonte rrjedhën e kësaj historie.

Nëna e Siborës u intervistua në episodin e Chi l’ha visto të transmetuar të mërkurën më 24 maj.

“Jam shumë e inatosur, sepse kur bëra denoncimin nëntë vite më parë, askush nuk më dëgjoi”, nis kështu reflektimi i dhimbshëm i Elisabetës, nënës së Siborës, e cila në dritën e vrasjes së 28-vjeçares Paula, ka iu rikthye duke folur për zhdukjen e së bijës: Të mërkurën në mbrëmje shkoj në shtëpi dhe shoh një mesazh nga ish-punëdhënësi ku punonte Sibora, në të gjitha videot shihet Marco Gaio i arrestuar nga policia. Nuk u besoja syve.

Sibora u zhduk në vitin 2014, pa lënë asnjë gjurmë, por nëna e saj i kujton shumë ato ditë dramatike. Marco dhe Sibora në ditët e para – siç del nga historia e nënës së saj- dukeshin shumë të dashuruar.

Gjërat degjeneruan kur 22-vjeçarja u transferua me Marcon në Spanjë, ndaj erdhi edhe vendimi për ta lënë: Vitin e fundit më thotë: “Mama, duhet ta lë, duhet të zhdukem, përndryshe ai nuk do të largohet.

Në shkurt të vitit 2014, Sibora largohet për herë të fundit nga Italia dhe i thotë nënës së saj se dëshiron të martohet. Fatkeqësisht, fati do të ketë një fund tjetër për të: Herën e fundit që e kam dëgjuar, në fund të qershorit ajo më tha se donte ta linte sepse ai nuk ishte një djalë normal dhe këtë herë tha se e kishte përfundimtare.

Më 24 maj, Marco Romeo, shtetasi italian i arrestuar për vdekjen e ish-partneres së tij, Paula, 28 vjeç, në Torremolinos (Málaga), ka rrëfyer se ka murosur ish të dashurën e tij Sibora Gagani, e cila u zhduk në vitin 2014.

Sipas mediave të huaja, vrasësi i dyshuar i Paulës sapo kishte refuzuar të dëshmonte në Polici, por kur pa foton e Sibora Gaganit në një dërrasë, në ambientet e policisë, pranoi se e kishte vrarë dhe shtoi se e kishte rrethuar edhe me mure. Deklartaat i bëri spontanisht, pa praninë e avokatit të tij apo autoritetit gjyqësor, por më vonë kur i shkoi pranë avokati mbrojtës, u tërhoq nga rrëimi i tij. Pas atij rrëfimi të parë, edhe pse jo zyrtarisht, Policia ka kontrolluar banesën e tij, por trupi i të resë shqiptare ende nuk është gjetur.