Transmetuar më 29-05-2023, 21:34

Kosovë- Tension i lartë në Kosovë ku misioni i NATO-s, KFOR ka përdorur gjatë ditës së sotme gaz lotsjellës dhe bomba molotov për të shpërndarë demonstruesit serbë, të cilët në qytetin verior të Zveçanit po protestonin para bashkisë për të kërkuar largimin e kryetarit të ri i dalë nga rradhët e shumicës shqiptare.

Në një artikull dedikuar zhvillimeve në Kosovë, media italiane Rai News shkruan se nga përleshjet e fundit kontingjenti shumëkombësh gjatë ndalimit të demonstruesve ka lënë të plagosur deri më tani 20 persona, nga të cilën 11 janë italianë.

Rai News shkruan se 3 prej shtetasve italianë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kanë pësuar djegie dhe fraktura. Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimet dhe shpreh solidaritetin e tij me burrat dhe gratë e misionit që u plagosën gjatë përleshjeve.

“Sulmet e pajustifikuara ndaj njësive. të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë detyrën e tij në mënyrë të paanshme”– thuhet në reagim.

Ministria italiane e Mbrojtjes deklaroi se: “Sot pasdite njësitë e KFOR-it u përdorën për të mbajtur demonstrata të dhunshme në 4 komunat e veriut të Kosovës. Gjatë kontrastit të skajeve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian që i përkisnin regjimentit 9 Alpini l’Aquila pësuan plagë trauma dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse. Të shpëtuar menjëherë nga njësitë mjekësore të KFOR-it, aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli shëndetësor i cili po konstaton gjendjen e tyre.”

Sakaq, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, përmes një komunikate për shtyp tha se: “Në emër timin dhe të qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë”.

Meloni ka dënuar ashpër sulmet kundër misionit të KFOR-it, duke shtuar se: “Shpreh dënimin më të ashpër për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it ku u përfshinë edhe ushtarë nga kombet tjera”.

Reagim për incidentin ka pasur edhe nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani. Në Tëitter, Tajani shkruan se: “Dua të shpreh solidaritetin me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve mes demonstruesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë por jo në rrezik për jetën. Ushtarët italianë vazhdojnë të angazhohen për paqen”.