Transmetuar më 31-05-2023, 08:18

Pas lamtumirës së tij nga Karagumruk dhe kampionati turk i futbollit, ku drejtoi për një vit si trajner, Andrea Pirlo është gati t’i veshë sërish këpucët e sportit. Dhe këtë do ta bëjë në “Ligën e Mbretërve”, ashtu si disa yje të tjerë të së kaluarës së sportit më magjik në botë.

Njoftimi erdhi në orët e fundit, gjatë ‘Twitch live’ të 12 presidentëve të skuadrave që përbëjnë kompeticionin e themeluar nga Gerard Pique. Pirlo do të dalë në fushë gjatë xhiros së pestë të ‘Kings League’ dhe do të veshë fanellën e Jiantes.

Kujtojmë se ‘Kings League’ është një kampionat i krijuar nga Pique, menjëherë pasi i dha lamtumirën futbollit të luajtur me Barcelonën. Ky është një kampionat futbolli me 7 lojtarë, ku marrin pjesë 12 skuadra.

E veçanta është se njerëz të panjohur mund ta ndajnë fushën me lavdi të vjetra të futbollit botëror (mendoni për shembull angazhimin e Casillas dhe Ronaldinhos), ose me lojtarë që janë ende aktivë.

Të dy pjesët e lojës së një ndeshjeje përbëhen nga 20 minuta secila. Vetëkuptohet që ‘Kings League’ po gëzon sukses të jashtëzakonshëm në Spanjë, por ka fituar admirues edhe në vende të tjera, që kanë në plan të organizojnë të tilla kompeticione.