Transmetuar më 17-08-2023, 21:50

ITALI- Televizioni Rai Uno i ka kushtuar një emision bumit të turistëve italian që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet. Në emisionin "Uno Mattina", është diskutuar ditën e djeshme, në lidhje me arsyet se përse turistët italian kanë zgjedhur që të kalojnë pushimet në Shqipëri dhe jo në Itali. Sipas disa përgjigjeve, të dhëna nga vetë turistët, çmimet më të ulta se sa në Itali, janë një nga arsyet kryesore se përse ata kanë zgjedhur Shqipërinë.

Përfaqësuesi i zyrës për mbrojtjen e konsumatorit, ka deklaruar se arsyeja që Italia ka çmime të larta se Shqipëria, është fakti se ajo ka 20% më të lartë barrën fiskale.

“Nuk ka konkurrencë mes Pulias dhe Shqipërisë. Janë realitete të ndryshme. Italia është pjesë e BE-së dhe barrën fiskale e ka më shumë se 40%. Ndërsa Shqipëria nuk është vend anëtar dhe ka rregulla të tjera, me një barrë fiskale më pak se 20%,” tha ai.

Po ashtu ai theksoi se edhe pushimet në Spanjë e Portugali, kushtojnë më pak se sa në Itali.

“Sinqerisht habitem që shfaqeni kaq i pashqetësuar për situatën. Sot flitet për Shqipërinë dhe është shumë e drejtë të flitet, por duhet të marrim parasysh edhe Spanjën, Portugalinë dhe jugun e Francës që kushtojnë më lirë se ne,” theksoi ai.

Ndërkohë që nga Shqipëria ka ndërhyrë në emision dhe biznesmeni italian Salvatore Zagaria, bashkëpronari i ‘Bella Napoli’. Zagaria ka theksuar se klima e biznesit dhe e turizimit në Shqipëri është e re dhe të ofron mundësira pafund.

“Infrastruktura është shumë re, me ndërtime të reja, të mirëpërgatitura për të pritur turistë. Shqipëria të jep mundësinë për të punuar. Ka absolutisht më pak burokraci. Ministria e turizmit të jep shtysë në mënyrë stratosferike,” tha Salvatore Zagaria.