Transmetuar më 30-09-2023, 22:54

Doloreza Musabelli, një nga prokuroret e SPAK ishte vënë në shënjestër të grupit të Laert Haxhiut, me qëllim eliminimin fizik të saj apo qoftë dhe njerëzve të afërm të familjes.

Një dyshim i tillë tronditës ka dalë nga dëshmia e bashkëpunëtorit të prokurorisë Artan Tafani, i cili ka shpjeguar para prokurorit Kreshnik Ajazi se, prokurorka Musabelli ishte vendosur në rreth të kuq nga Laert Haxhiu.

Bashkëpunëtori ka dhënë një përshkrim të detajuar për mënyrën se çfarë po bënin për të eliminuar fizikisht tre anëtarët e drejtësisë shqiptare, Doloreza Musabelli prokurore në SPAK, Merita Selimi ish-prokurore në Lushnjë dhe avokatin e Lushnjës, Adriatik Doga.

I penduari Tafani ka treguar se në planin për t’u ekzekutuar ishte dhe avokati Adriatik Guri alias “Doga”, i cili në fraksion sekonde i ka shpëtuar vrasjes, në muajin tetor 2021 në Lushnjë.

Për vrasjen e avokatit sipas bashkëpunëtorit të prokurorisë ishte impenjuar personalisht Laert Haxhiu. Ndërsa pjesë e kësaj përpjekjeje për vrasje, të mbetur në tentativë, ishte dhe Lulzim Arapi.

Vrasja e avokatit ka dështuar për fije pasi, në momentin kur grupi kriminal zbarkoi me arsenalin e armëve para banesës së objektivit, Adriatik Doga dhe ky i fundit rastësisht ka takuar një komshiun e tij.

Kjo ka sjellë që tre personat Artan Tafani, Laert Haxhiu dhe Lulzim Arapi, të mos veprojnë për të qëlluar, por të presin. Mirëpo avokati së bashku me komshiun, janë drejtuar në hyrje të pallatit dhe nuk kanë dalë më që aty në atë ditë.

Dështimi i vrasjes së avokatit pasoi faktin se në atë periudhë, në muajin tetor 2021, grupi i Laert Haxhiut, planifikoi dhe vrau Elton Mermalin, ish-anëtarin e bandës së Lushnjës.

Mes emrave që ishin futur në planin e Laert Haxhiut për t’u vrarë ishte Doloreza Musabelli, por dhe një tjetër prokurore në qytetin e Lushnjës, Merita Selimi.

Në fakt Selimi, ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

Pas dy viteve hetime, Selimi ka shpallur moskopetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK.

Prokurorja e Lushnjës, Merita Selimi në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting) me dy vota të Brunilda Bekteshi dhe Etleda Çiftja. Një votë “pro” kalimit të saj të procesit të “Vettingut” ishte ajo e Lulzim Hamitaj, por nuk mjaftoi.

Çeshtjen e ka marrë Doloreza Musabelli, prokurore në SPAK. Aktualisht janë dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi, ndërsa ndodhet ende në fazë gjykimi Laert Haxhiu.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë të dyja prokuroret janë ndjekur për disa muaj, ku përgatitja e Laert Haxhiut dhe anëtarëve të grupit të tij, ishte vrasja e tyre ose të familjarëve.

Prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelli është provuar të jetë ndjekur nga grupi i Laert Haxhiut. Një fakt të tillë e ka dhënë dhe bashkëpunëtori i prokurorisë së Elbasanit, i cili ka treguar se:

”…Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjesthëm shokun e Laertit, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.

Ndërsa tashmë vijonte gjyqin për dënimin e Laertit, Laerti pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po ia bënte gropën. Atij iu fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes së saj.

E kemi ndjekur prokuroren Doloreza Musabelli, për disa kohë me radhë. I kemi bërë foto asaj, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do të sillte.

Më pas do të veprohej për të ekzekutuar prokuroren Musabelli ose ndonjë nga njerëzit e afërm të saj. Laerti kishte siguruar armët dhe gjithçka tjetër…”, – ka deklaruar bashkëpunëtori i prokurorisë Artan Tafani.