Transmetuar më 07-11-2023, 11:36

Një episod absurd ndodhi në rrugët e Katanias dhe tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut në TikTok. Kësaj here, protagonisti është një burrë, në dukje i relaksuar dhe i qetë, i shtrirë në një divan të vendosur sipër një "Fiat Panda" në lëvizje, ndërsa automjeti lëviz mes trafikut.

Videoja bëri menjëherë xhiron e internetit, duke shkaktuar të qeshura, por edhe shumë indinjatë nga përdoruesit e rrjeteve sociale dhe politikanët italianë.

Shumë spektatorë pyesnin veten se si ishte e mundur që dikujt t’i kishte lindur një ide kaq absurde, si mund të qëndronte në çatinë e makinës së vogël, ndërsa të tjerë shqetësoheshin për sigurinë e burrit të shtrirë në divan dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Policisë lokale i është kërkuar të marrë masat e duhura për të garantuar sigurinë në trafikun e qytetit të Catanias. Sipas raportimeve nga agjentët e komisariatit "Borgo Ognina", drejtuesi i mjetit është një 41-vjeçar, i dënuar me disa qindra euro gjobë dhe me heqje të disa pikëve nga leja e drejtimit.

Burri dhe një mik kishin marrë divanin nga një i njohur, që donte ta hiqte qafe. Arsyetimi për atë që ndodhi ishte vërtet i papritur. “Nuk e kuptova që mbaja një të ri të shtrirë në divan”, – i ka thënë shoferi policisë.