Transmetuar më 10-11-2023, 17:38

NOA INTERVISTË/ Themeluesi i agjencisë Vatra rrëfen sfidat e 2 dekadave të kësaj kompanie, lider në industrinë kreative. Ndalet dhe në risitë e të ardhmes 

Në një kohë kur pakkush e kuptonte nevojën për një logo, Gerton Bejo krijoi Vatrën. Një vend i ngrohtë për shumë të rinj që synonin të bënin diçka ndryshe, pa iu larguar vetes. Kurdoherë në rritje profesionale dhe gjithmonë fëmijë ëndërrimtarë, kur bëhej fjalë për forcën krijuese.

Sot, Vatra njihet si një agjenci lider në industrine kreative, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Dhe… sot, Vatra është 20 vjeç. Ka parë dhe ka jetuar shumë.

Por si ka qenë ky rrugëtim prej dy dekadash për themeluesin e saj, çfarë pritet në një të ardhme, dhe a është Vatra gati për të tjera sfida? Përgjigjet na i ofron vetë z.Bejo.

***

NOA.al: 20 vite më parë, ju vendosët të ngrinit në këmbë një agjenci marketingu. Cila ishte nxitja juaj?

Gerton Bejo: 35 vjet më parë, do thoja unë. Asokohe, nuk mund ta definoja dot se ajo çka doja unë ishte një agjenci apo jo. Por e sigurtë është se doja diçka që të operonte në fushën kreative dhe që përmes saj të fuqizoheshin edhe biznese të tjera. Largimi nga Shqipëria, fillimi i edukimit dhe i një pune në Londër, e bënë më të prekshme këtë ëndërr; ekspertiza dhe eksperienca e profesionistëve dhe lektorëve me të cilët kam patur të bëj, i dhanë edhe më shumë kuptim. Në Shqipëri, jo gjetkë. Mendoj se në Shqipëri ka qenë momenti dhe koha e duhur, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që kishin dëshira të mëdha dhe fuqinë e brendshme për t’i shkuar atyre deri në fund, qoftë edhe duke sakrifikuar nga vetja. Më vjen në mendje ajo periudhë kur më duhej të sqaroja njerëzit për funksionin e një logoje… Më është dashur shumë kohë, jo shumë për të ngritur agjencinë, por për të bindur klientelën se ekzistonte vërtetë nevoja për një agjenci profesionale. Sot, peizazhi ka ndryshuar plotësisht. Njerëzit janë më të vetëdijshëm, rrjedhimisht është më e lehtë për ta prezantuar punën e një agjencie. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ndihet nevoja për vullnet të hekurt apo punë të vazhdueshme. Dua të marr për shembull Departamentin e Digjitalit brenda Vatrës. Përpara 10 vitesh nuk e mendonte njeri diçka të tillë, por Vatra e ngriti në këmbë pikërisht në sajë të këmbënguljes për të qenë pararendëse e zhvillimeve.

Lexoni dhe:

Sfidat e agjencive të marketingut në epokën dixhitale

NOA.al: Shqipëria dhe Tirana nuk ishin ato çka po jetojmë sot. Për kohën, Vatra në fillimet e saj mund të konsiderohet padyshim një start-up inovativ. Mirëpo, të gjithë e dimë se pas inovacionit ka mjaft vështirësi. Cilat kanë qenë vështirësitë tuaja dhe mund të sillni një shembull ku ato përkthehen në fitore?

Gerton Bejo: Problemi më i madh që kanë start up-et është keqmenaxhimi, planifikimi i gabuar i kohës për të arritur suksesin, si dhe mungesa e komunikimit. Në rastin e Vatrës… Në fillime, kur s’kishim as karrige dhe as tavolina, kam përdorur kompjuterin e parë që kisha blerë si student me kredi studentore, dhe me kursimet e mia kam krijuar një website, kartëvizita dhe broshura. Nuk është se nuk bëra atë që dija të bëja; bëra atë që besoja si start up-er. Kjo më bën t’i rikthehem fjalës sime të mëparshme, që ka mjaft rëndësi pasioni, fokusi dhe vullneti për t’i shkuar gjësë deri në fund.

NOA.al: Si arritët ta përshkonit këtë rrugëtim dhe start up-in e një të riu ta kthenit në një agjenci lider marketingu, të pranishëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon? 

Gerton Bejo: Di të them këtë: rruga e nisur është ende e papërfunduar. Ka shumë punë përpara. Në vizionin tim e di fare mirë se ku dua të shkoj. Vatra nuk i ka ndalur hapat, ajo do të zgjerohet edhe më tej në rajon. Hapja e Pathcode-t si një derivat i saji në marketingun digjital, nuk është aspak e rastësishme. Çfarë kam mësuar deri më tani është se çdo qëllim i vendosur kërkon kohën, momentin e duhur.

NOA.al: Përse lindi Pathcode pikërisht në këto momente?

Gerton Bejo: Pathcode duhet të kishte lindur më herët por, sikundër e thashë më herët, duhej të piqej koha dhe momenti i duhur. Këtë shërbim mund ta siguronim fare lehtë jashtë vendit, por po t’i qëndrojmë shërbimit cilësor që Vatra kërkon të zotërojë, duhet ta kishim me patjetër ne. Mund ta përshkruaj si formën më të mirë për të qenë “tradicionalisht” i ri…

NOA.al: Cilat janë pritshmëritë për këtë “filiz”?

Gerton Bejo: Që të fillojë të gëzojë dhe përvetësojë statusin që Vatra ka në fushën e saj. Nëqoftëse Vatra njihet si kompani që ka kreativitet, gëzon një emër të mirë dhe reputacion të mirë, kjo është detyra ime edhe për Pathcode-n. Që në fushën e saj të ekspertizës, të jetë lider.

NOA.al: Ndryshimi më rrënjësor me të cilin është përballur Vatra?

Gerton Bejo: Ndryshimet te Vatra kanë të bëjnë me evoluimin e mënyrës së të ofruarit shërbime përkatëse. Pjesa tjetër që ka evoluar është procesi krijues. Sot mund të them se jemi me më shumë eksperiencë dhe ekspertizë, dhe kjo mund të jetë një ndryshim për Vatrën. Përpara 20 viteve kishim vetëm pasionin. Siç dihet, ndryshimet shoqërohen edhe me ndalesa. Këto të fundit, kanë gjetur shteg për shumë arsye. Një ndalesë e imja personale, të cilën kam ditur ta luftoj, ka qenë ajo e të bindurit veten se Vatra do të rritet dhe se në këtë rrugëtim jo të gjithë do ta shoqërojnë, përveç pasionit.

NOA.al: Le ta kthejmë edhe njëherë kokën pas në të shkuarën. A mendoni se të rinjtë e sotëm gjenden përballë sfidave të ngjashme me ato tuajat?

Gerton Bejo: Çfarëdo të ndodhë, sfidat janë njësoj, për të mos thënë më të mëdha. Informacioni është më i aksesueshëm, i pafundëm, i cili ta bën jetën sa të lehtë po aq edhe të vështirë. Duhet të jesh i aftë për ta përzgjedhur dhe kuptuar atë, për t’u ngjitur gjithnjë një shkallë më lart se konkurrenca. Kohët kanë ndryshuar, por jo vështirësitë. Do gjithçka energji, shumë energji…

NOA.al: Ku bëhen bashkë dhe ku ndahen start-upet e 20 viteve më parë me ato të 2023-shit?

Gerton Bejo: Pika ndarëse është teknologjia. Pikat ku bëhen bashkë, kërkesa dhe kreativiteti. 20 vite më përpara, kuptohet që nuk mund të flitej për teknologjinë e sotme…

Mos humbisni dhe:

Vatra Agency, një vatër frymëzimi në Tiranë

NOA.al: Nëse Inteligjenca Artificiale do të shfaqej prej fillimit, në momentin kur ju hodhët themelet e Vatrës si një agjenci e mirëfilltë marketingu, a mendoni se gjërat do të kishin shkuar ndryshe për të?

Gerton Bejo: Nuk ka rëndësi se në çfarë kohe e hap, kjo vlen edhe për Vatrën që porsa ka mbushur 20 vjeç. Rëndësi ka fokusi dhe drita që ti sheh në fund të tunelit. Po të kisha dikur Inteligjencën Artificiale si një mjet në dorën time, nuk do të përshkoja të njëjtën rrugë, ama e di se do të isha, po këtu ku jam, pse jo edhe më me eksperiencë. Sepse çfarëdo të ndodhë, çdo gjë do të kërkojë njeriun që ta orientojë dhe drejtojë.

NOA.al: “Sekreti” që fshihet pas jetëgjatësisë së Vatrës?

Gerton Bejo: Ajo e të mos bërit asnjëherë kompromis me produktin dhe të qenit konsistent në shërbimet që i ofron klientit, duke mbuluar çdo kërkesë të mundshme. Nuk është e aspak lehtë të bësh 20 vjeç… Por mund të them me plot gojë: Është shumë adrenalinë, energjia e së cilës të shtyn vetëm përpara.

Lexoni dhe:

Brandet në kontekstet kulturore të së ardhmes

Kreativiteti në epokën e punës remote – nga Gerton Bejo