Transmetuar më 27-11-2023, 14:10

Junior Eurovision Song Contest 2023 – Festivali Evropian i të rinjve, kurorëzoi Francën si fituese ndërsa Shqipëria u rendit e teta, raporton noa.al.

Ky festival u zhvillua në Nicë dhe në të morën pjesë 16 këngëtarë e këngëtare, zëra të rinj e fëmijë që përfaqësonin 16 shtete.

Për Shqipërinë u prezantua Viola Gjyzeli e cila erdhi me këngën "Bota ime".

Ndërsa Franca fitoi me këngëtaren e talentuar Zoé Clauzure me këngën “Cœur” (Zemra).

Për të shpallur më të mirët u llogaritën votat e publikut dhe jurisë profesioniste.

Viola Gjyzeli interpretoi e 13-ta në radhë në gjuhën shqipe me këngën “Bota ime”.

Në të 16 vendet konkurruese, por edhe shtete të tjera të botës shikuesit votuan për këngët e tyre të preferuara në dy alternativa:

Votimi online para spektaklit, ku votimi bazohej në fragmente të provave, dhe votimi online gjatë spektaklit ku shikuesit mund të votonin gjatë 15 minuta pas performancës së fundit.

Gjithashtu, juritë kombëtare dhe votimi online përcaktuan secila 50% të rezultatit.

Historia e Junior Eurovision

Në vitin 2000, transmetuesi Danish Radio (DR) mbajti një konkurs këngësh për fëmijë, dhe në vitin 2002 "MGP Nordic" u mbajt së bashku me Suedinë dhe Norvegjinë.

EBU zgjodhi idenë për një konkurs kënge me fëmijë, dhe konkursi i parë i këngës për Junior Eurovision u mbajt në 2003 në Kopenhagen me 16 vende pjesëmarrëse.

Në atë kohë, Junior Eurovision bazohej në argëtimin për fëmijët në mbarë Evropën. Që atëherë ajo është shndërruar në një kopje të “Eurovisionit për të rritur”.

Junior Eurovision është i hapur vetëm për fëmijët e moshës 9 deri në 14 vjeç.