Transmetuar më 05-12-2023, 08:10

Shuhet "Sokrati" shqiptar! Artisti i mbarë popullit shqiptar, Mirush Kabashi ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Kontributi i jashtëzakonshëm i përditshëm i “Nderit të Kombit” do mungojnë fizikisht, por puna dhe veprat e tij, do mbeten një thesar i paçmuar në kulturën e kombit shqiptar.

Arktori i mirënjohur ka ndërruar jetë gjatë mesnatës në moshën 75-vjeçare. Ka qenë familja e aktori që ndau lajmin e trishtë, përmes një postimi në rrjetin social të Mirush Kabashit.

“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim.

Me Respekt, Familja Kabashi”, shkruan familja e të ndjerit.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij ka qenë nga Gjakova. Kabashi ka qenë aktor i rreth 100 roleve, në teatër, filma, dhe shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri, ndërsa ka dhënë kontribut të madh në filmografinë shqiptare.

E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Interpretimi dhe ngjyrimi emocional i roleve, e veçonin Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga Kabashi binin në sy për origjinalitet, elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, të përzgjedhur me mençuri dhe intuitë. Kabashi spikati në rolet satirike dhe komike.