Transmetuar më 11-12-2023, 09:53

Nga Dom Gjergj META

Këto ditë, digjitalizimi i filmit "Lulëkuqe mbi mure", duke i dhënë ngjyra, ka ngazëllyer shumëkënd si një arritje. Arritje e kujt? E teknologjisë, sigurisht. Asgjë e re në këtë pikë. Teknologjia po na mahnit çdo ditë në fakt.

E kujt nga mosha ime nuk i kujtohet "Lulëkuqe mbi mure"? Në kohën kur të djelave mezi prisnim të ndizej televizioni, ai film e ndonjë tjetër për ne fëmijët ishte një rast për të qëndruar të ngujuar para ekranit. Nuk kishim eglendisje të tjera veç lojës së futbollit për ne djemtë, e topa-luftash për vajzat.

Le më pas kur Timo Flloko recitonte me pathos vargjet e Fan Nolit mbi kryengritjet e "katundarëve dhe punëtorëve" nga Shkodra e deri në Vlorë, ndodhte që edhe entuziazmoheshim. Ai film mëton tē jetë një "himn" ndaj rezistencës antifashiste.

Deri këtu duket e domosdoshme që të rinjtë e fëmijët të edukohen me antifshizmin. Nga ana tjetër antifashizmi i atyre filmave ishte njëkohësisht himnizimi i komunzimit. Madje komunzimi shihej si i vetmi antifashizëm, kur në fakt ky është një manipulim historik.

Thellë-thellë pra ai ishte një film propagandistik. Në këtë pikë asgjë më shumë se sa filmi "Komisari i dritës", ku propaganda kishte si qëllim të identifikonte dritën e diturisë me dritën e partisë, madje të shënonte fillimet e arsimit në malësitë e Shqipërisë (lexo Mirditë) me erën e re të komunizmit.

Nga kjo pikëpamje, të dy këta filma dhe të tjerë syresh përcjellin në thelbin e tyre vetëm ideologji. E kjo duhet thënë e përsëritur po aq herë sa ngazëllehemi me arritjet e tekonologjisë, e cila në këtë rast është e pafajshme.