Transmetuar më 18-12-2023, 22:28

Kur talenti shkrihet me pasionin, mund të presësh vetëm sukses. Pasi u duartrokit në X-Factor, Luna Çausholli sjell këngën premierë,’Brown eyes’, me muzikë, tekst dhe interpretim nga vetë ajo

TIRANË, 18 Dhjetor 2023 /NOA.al – Ndërsa ka mbushur të tetëmbëdhjetat, Luna është në kulmin e pasionit për muzikën.

Suksesi në spektaklin e zbulimit të talenteve X-Factor Albania, ku u duartrokit për interpretimin virtuoz të një kënge franceze aspak të lehtë, pason prurjen më të re, një këngë e përgatitur tërësisht prej saj.

"Brown eyes" është kënga që ka dalë këto ditë dhe që në orët e para të publikimit në rrjete sociale, është pëlqyer për melodiozitetin dhe interpretimin e ndjerë.

Kjo këngë, pason "Under your scars", një tjetër vepër muzikore që u pëlqye shumë në shtator.

Ndonëse është ende në moshë fare të re, Luna është prezantuar me këngë edhe në evente të tjera të rëndësishme muzikore.

Vitin e kaluar ajo ishte pjesë e Festivalit të 61-të në RTSH, me këngën "Jetën ta fal", me tekst të Pandi Laços.

Më herët ka marrë pjesë edhe te Kënga Magjike, Tirana Art Fest, ku mori çmimin e "Artistes me stil më të veçantë", etj.

Në një tjetër event muzikor ajo ishte në duet me Bojken Lakon me "Breed" nga grupi i famshëm Nirvana.

Në një intervistë të shkurtër me noa.al, Luna tregon jo vetëm si hyri në botën e muzikës, por edhe si pasioni për këngën dhe kitarëb e ka përfshirë të tërën.

Ajo rrëfen se kitarën e nisi rastësisht, e entuziazmuar nga kënaqësia që shijonte në familje, teksa dëgjonte të atin të luante në kitarë.

"Më jepte shumë kënaqësi kur dëgjoja babin tim të luante në kitarë. Një ditë iu luta të ma mësonte edhe mua. Me mësimet e babit dhe në mënyrë krejt autodidakte, mësova këtë vegël muzikore dhe më pas, ne ishim bashkë në festa familjare e jo vetëm", tregon Luna, teksa flet për fillesat me kitarën.

Ajo pohon se "dashuria për kitarën më bëri të filloj të krijoj vetë muzikë". Ndaj dhe kënga më e fundit, "Brown eyes" e sjell Lumën jo vetëm si këngëtare, por si kantautore, madje dhe me tekst të përgatitur nga vetë ajo.

E ndërsa nga babai i saj Arditi, ka marrë pasionin për kitarën, shfaqjen e talentit për këngën dhe nxitjen për të, e konsideron si një dhuratë nga mamaja, Ermira.

"Mami më dëgjonte një ditë teksa duke i rënë kitarës nisa të këndoj dhe u entuziazmua, duke më nxitur të punoj më shumë dhe të përkushtohem më shumë", pohon Luna, teksa është duke vërtitur në kokë gjithfarë idesh që do ta çojnë së shpejti në këngën e radhës, e cila tani për tani, mbetet një surprizë! /noa.al