Transmetuar më 05-02-2024, 20:05

Shuhet Liljana Cingu, valltare e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Lili Cingu është nderuar me urdhrin “Mjeshtër i madh” për kontributin e dhënë në vallen popullore shqiptare. Lajmin e trishtë e ka dhënë Abigeila Voshtina, drejtoreshë e Operas dhe Baletit.

“E trishtë ndarja nga jeta e “Mbretëreshës së valles shqiptare”, Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur.

Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi.“, shkruan ajo.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd