Transmetuar më 15-02-2024, 12:58

Nga Artan Fuga

Mbrëmë ndoqa një emision televiziv, si rrallë ndonjëherë, ku flitej për çmimet e larta të banesave në Tiranë a gjetiu. E ndoqa për respektin ndaj moderatores, si edhe për praninë e një miku të respektuar, profesionist në urbanizëm. Këta të dy nuk më zhgënjyen, por emisioni më la pa mend, pa mend.

1. Të arsyetosh siç orvateshin të ftuar të ndryshëm çmimet e larta të metrave katrorë për banim me kërkesën e lartë në treg për të blerë, kjo të bën të shqyesh gazit, të ikësh mendsh. Pse mo, treg domatesh është tregu i banesave? Më rëntë pika për kulturën gjoja ekonomike të operatorëve. O Zoooot çfarë na ka gjetur! Pse, si katunari i dashur që në fillim të pazarit e mban domaten e shtrenjtë dhe kur pazari prishet në darkë, nga që nuk ka më blerës e ul çmimin që mos e hedhi domaten e kalbur, është ndërtuesi mooooo?!

Po ku i keni mësuar këto mo se nuk po kërkoj të keni lexuar nobelistët e ekonomisë sot! Një pallat unë e ndërtoj dhe nuk e shes fare. Po të dua e mbaj edhe 20 vjet pa shitur, sepse apartamenti nuk është domate, as presh që kalbet mooooo! Çfarë janë këto dogma që na servirin. Gjynah që moderatorja toleron që njerëz pa kualfikim në këtë fushë të ndosin mjedisin me dije pa vlerë.

2. Çmimet janë të larta se janë monopol moreeee, jo se hidrauliku a muratori kërkojnë më shumë parà, dhe mirë bëjnë. E dini ju raportin dhe ndryshimet mes kostos dhe vlerës së këmbimit në treg apo bjeri t’i biem?! Po kur thonin se në gjithë Mesdheun, si Spanjë, Itali, etj., çmimet janë shumë të larta, kështu që edhe te ne ashtu do të bëhen! O Zoooooot çfarë më dëgjuan veshët!

Kisha ndjenja mazokiste mbrëmë, prandaj desha t’i dëgjoj këto dokrra. Po pse moreeeee të njëjtën cilësi ndërtimesh kemi si me Italinë, Francën, Spanjën neeeeee?! I keni parë mo pallatet që shisni "bythë më bythë", zgjat dorën dhe vjedh brekët e varura të komshiut për ballë! Pa garazhe, pa mure me cilësi termike, për ngrohje me korent, pa hapësira të blerta. Këto do shisni me çmimet e ndërtimeve në Itali dhe në Marsejë mooooooo, sa frëngu pulën?! Po na shisni kastravecin mbush me kimikate për kastravec bio moooooooo! Po na griniiiiiii!

3. Kur llogarisin koston, llogarisin vetëm koston individuale të atij që blen. Po ne paguajmë edhe kosto kolektive mooooo?! Edhe ne që nuk blejmë paguajmë kolektivisht mooooooo! Se këto kullat na e kanë bërë jetën e shtrenjtë, ajrin e ndotur, parkingjet dhe gjobat sa frëngu pulën, kanë zhdukur të gjitha vendet e punës, na kanë rrëmbyer diellin dhe hënën, ooooo rob zoti! Po nuk keni faj ju, nuk keni. Ka fajt televizioni që iu jep hapësirë publike për të folur.

Kur thoni se ne merremi me tregëtinë tonë, ooooouuuuuu! Shumë mirë, me atë merruni, vazhdoni, por mos merrni përsipër të përhapni të paqëna dhe të pathëna për qytetin, territorin, mjedisin dhe hallet tona si qytetarë, se po na pini gjakun. Por, ç’të bësh kur qytetari nuk ka dorë mbi pushtetin që ta shkundë, ndaj livadhisin të gjithë xhindët, fantazmat, që na e kanë nxirë jetën në qytet. Dhe budallai para disa muajsh, i shitur, diskutonte estetikën e kullave, a thua se është çështje estetike! O pikaaaaaaa!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd