Transmetuar më 22-02-2024, 13:45

English version below

Kompania ndërkombëtare e produkteve ushqimore, Mondelēz Hellas S.A., ka vendosur tërheqjen nga tregu të një produkti ushqimor nën dyshimet e pranisë së mundshme të objekteve të huaja.

Në Shqipëri, Emporio Ena importon dhe bën shpërndarjen e produkteve të kompanisë Mondelēz Hellas s.a.

Noa.al, në komunikim me shoqërinë Emporio Ena sh.p.k. konfirmoi se edhe në Shqipëri është bërë ndërkohë tërheqja e produktit.

Kompania Emporio Ena njoftoi se tërhoqi nga tregu shqiptar të gjithë sasinë e produktit Lacta Oreo paketimi 37 gramë me datë skadence 18.08.2024, sasia totale gjithsej, 70 kilogramë.

Po ashtu, Emporio Ena ka bërë njoftime në pikat e shitjes mbi tërheqjen e produktit nga vitrinat.

Sakaq, në një letër informuese të shoqërisë Mondelez Hellas s.a. që noa.al disponon të plotë, thuhet se është vendosur heqja nga tregu "për seritë specifike të BAR LACTA 37G OREO për shkak të pranisë së mundshme të objekteve të huaja".

Kjo tërheqje përfshin seritë OSK0934651 dhe OSK0934652 me një datë skadimit 18/8/2024.

Mondelēz Hellas S.A. thekson se kjo masë kujdesi kufizohet në këto seri specifike dhe nuk prek asnjë produkt tjetër.

Kompania njoftoi gjithashtu se kanë ndërmarrë hapa për të informuar autoritetet, klientët dhe median, duke treguar përkushtimin e tyre për cilësinë e produktit dhe sigurinë e konsumatorit. /noa.al

ENGLISH VERSION:

Important announcement about the withdrawal from the market of a food product in Albania

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd