Transmetuar më 24-02-2024, 08:16

“Spiunia’’ Ruse Svetlana Timofeeva ka folur për herë të parë në një studio televizive për fatin e saj në Shqipëri. Kush është, si u burgos, kush e dënoi dhe përse kërkon azil politik në vendin tonë "Spiunia" Ruse që u dashurua me Shqipërinë?

Biseda e gazetarit Eljan Tanini bisedoi me të në Report Tv.

Tanini: -Sa kohë keni që qëndroni në Shqipëri?

Svetlana: -Kam dalë nga burgu prej 8 muajsh, kam rreth një vit e gjysmë që jetoj këtu.

Tanini: Përse ratë në burg? Për cilën arsye, ku e keni vuajtur ju dënimin? Ku e vuajtët dënimin tuaj 9 mujor?

Svetlana: -Në 20 gusht të vitit 2022 jam akuzuar për spiunazh!

Tanini: -Çfarë thonë letrat më shumë për ju, dënimi?

Svetlana: -Unë kam përshtypjen se këtë gjë e kanë krijuar gazetarët. Në Gramsh e gjuajtën shokun tim, ata që e goditën atë thirrën policinë, dhe treguan të kundërtën për këtë gjë në territorin e një fabrike ushtarake shqiptare.

Tanini: -Si e gjetët ju këtë vend ushtarak në Shqipëri, nga e morët këtë informacion?

Svetlana: -Këtë bazë nuk e gjeta unë por shoku im, ai që hodhi “piper” për ushtarët. Është një bazë ushtarake që gjendet kollaj edhe në Google.

Tanini: -A është ky pasioni juaj për të gjetur vende të tilla?

Svetlana: -Po, ne jemi të interesuar për historinë e shekullit të 20. Kanë ngelur ende këto artefakte të braktisura. Unë munda tani përmes fotove të mia që ti ruaj këto ndërtesa në foto.

Tanini: -Nga hytë, si hytë ju në këtë bazë ushtarake?

Svetlana: -Edhe një herë dua ta them se nuk jam ndeshur me asnjë ushtar më parë. Nuk ka ndodhur asnjë përplasje.

Tanini: -Pra nuk kishte asnjë ushtar atje?

Svetlana: -Ne vajtëm atje me makinë, pamë shumë ndërtesa të braktisura e të shkatërruara. U futëm në një prej tyre përmes një vrime. Kishte shumë pemë e shkurre. Ne nuk dolëm bashkë nga atje. Pashë që Fjodor ishte larguar, u bashkuam në rrugën kryesore. Unë nuk kisha kartë telefoni, vajta në fshat që të lidhesha me djemtë.

Tanini: -Ku ju arrestuan?

Svetlana: -Kur u larguam me Fjodor me makinë, atje në Cërrik ai tha se e kishin ndaluar policët. Erdhi policia nga Tirana dhe Elbasani, ishte policia antiterror. E kuptuam që ishim futur në telashe. Na kanë ndaluar në datën 20, pyetjet na i bënë në datën 21 kur filluan të gjitha letrat, procedurat.

Tanini: -Si ishin njerëzit që ju hetuan, e kuptuan që jeni blogere apo ata ishin idiotë që nuk donin të kuptonin asgjë?

Svetalana: -Hetuesit na kanë pyetur në mënyrë të veçantë. Për mua ishin 5-6 burra agresivë.

Tanini: -Ju besuan?

Svetlana: -Ata thanë se ishte gënjeshtër. Unë nuk kisha një përkthyes dhe nuk më janë sqaruar të drejtat e mia. Familja ime në Rusi ka marrë djeni vetëm nëpërmjet lajmeve.

Tanini: -Pse, edhe atje u bë e njohur kjo histori?

Stvetlana: Po, lajmi ishte se spiunët rusë kanë goditur ndërtesat ushtarake. Shërbimet ruse kanë hapur edhe një procedurë për këtë gjë. Ata thanë se ajo nuk është spiune por futet atje ku nuk duhet të hyjë.

Tanini: -Nëse ju kthejnë në Rusi, do të kishit penalitete atje? Do ju mbajnë në burg?

Svetlana: -Unë nuk do të shkoj në Rusi, atje do të më arrestojnë. Do të futem për shumë vite në burg atje. Nuk kam ndërmend të kthehem më në Rusi.

Tanini: -Kur ju rrethuan policët, e patë si diçka që po ndodh për qejf apo thatë që tani u futët në telashe?

Svetlana: -E mendova në çast se tani po futemi realisht në telashe!

Tanini: -Mos vallë kjo histori ka lidhje me para që mund të jenë kërkuar për të hyrë në atë repart ushtarak?

Svetlana: -Përpara se Mikail të merrej në pyetje, ose e kanë detyryar ose i kanë gjuajtur-goditur, ka firmosur një dokument pa përkthyes që ishte në gjuhën shqipe. Këto janë dokumenta bazë për në gjykatë.

Tanini: A shikoni të njëjtin stil jete si në Shqipëri dhe Rusi edhe për nga llojet e pasojave të komunizmit? Të njëjtin budallallëk mendor?

Svetlana: Në Rusi, epoka socialiste ka mbaruar, ka njerëz që nuk mendojnë kështu. Në Shqipëri ka njerëz që duan të ecin përpara. Tani në Europë rusët po përballen me probleme, të shohin me mëdyshje. Policia ndaloi një grup tjetër turistësh nga Çekia, por nuk i mbajti askush tre ditë në paraburgim. Ama, është hapur thjeshtë një procedurë penale. Për ne kjo gjë s’ka mbaruar, jemi pa dokumenta, nuk mund të punojmë, nuk mund të hapim një llogari bankare dhe nuk ka një limit ose kufi sesa do të zgjase kjo gjë.

Tanini: -Zonja “Spiune Ruse’’, me çfarë jetoni ju në Shqipëri? Ku po mbijetoni tani? Si fillim, ku e vuajtët dënimin?

Svetlana: -Miqtë e mi i lanë për 9 muaj në burgun 313, ndërsa mua më çuan në një burg spital, nuk flisja dot me të tjerët, dhe prindërve të mi i kam bërë telefon pas dy muajve. 3 muajt e parë qendrova në spitalin e burgut. Avokati bëri kërkesë për të sqaruar veprimet, e pastaj më dërguan te burgu i grave te Ali Demi, pastaj ndenja veç po atje. Gati gjysmë viti kam qendruar e izoluar.

Tanini: -Te Burgu i grave te Ali Demi nuk çmendesh kollaj se ka edhe zonja të tjera, po te Burgu i Spitalit nuk luajte nga mendja?

Svetlana: -Shpresoj që jo! Atje flisja vetëm me policen grua. Në spital nuk kishte as bibliotekë. Drejtori i spitalit të burgut më gjeti dy libra në anglisht. As avokatin tim nuk merrja dot në telefon, nuk ma dhanë këtë mundësi. As në momentin e ndalimit dhe arrestimit nuk më janë lexuar të drejtat e mia. Pas 2 muajsh në spitalin e burgut erdhën përfaqësues nga organizata që mbron të drejtat e njeriut dhe nga Avokati i Popullit. Atje shkruhej se institucioni që më mbante duhet të më siguronte komunkimin me avokatin. Deri më sot askush nuk më tha se përse po mbahesha në Spitalin e Burgut.

Tanini: -Si i siguroni të ardhurat në Shqipëri? Ku banoni? Si është jetesa juaj këtu? Ju nuk e keni as edhe një leje qëndrimi këtu

Svetlana: -Pasi dolëm nga burgu morëm një apartament me qera në Tiranë. Dikë e ndihmon familja mua jo. Jetojmë edhe nga të ardhurat tona të dikurshme. Nuk mundemi ndryshe, vetëm përmes avokatit ose miqve që të marrim ndonjë para nga miqtë.

Tanini: -I keni rënë pishman kësaj historie? A jeni penduar?

Svetlana: -Mua nuk më vjen keq që kam ardhur në Shqipëri por mendoj vetëm për kohën e humbur. Jam e detyryar të jetoj këtu. S’më kanë dhënë ende asnjë dokument. Edhe për strehim politilk nuk më kanë dhënë asnjë dokument, kam vetëm një letër nga prokurori. Une po pres vendimin e gjykatës, policia ka gabuar. Këtë e ka pranuar edhe vetë Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, ka gati 30 vite që në këtë bazë nuk ka asnjë aktivitet, nuk kemi bërë asnjë krim. Nëse në Shqipëri ti nuk e vërteton dot faktin e aktivitetit që ke kryer ose jo, si në rastin tim ti bën 9 muaj burg.

Tanini: -Si ishte baza ushtarake nga brenda, çfarë patë atje kur hytë?

Svetlana: -Ka gati 15 ndërtesa të shkatërruara, brenda ka tanke, ka bimë kacavjerrëse. Është fabrikë e braktisur, ajo ruhet që mos të shkatërrohet fare.

Tanini: -A ka municione të vjetra atje?

Svetlana: -Ka ndonjë pjesë granate, pjesë arme prej druri, e të gjitha këto mbetje i gjeje në mënyrë minimale. Ishte bukur për ta kthyer në muze. Niveli i ruajtjes së këtij vendi është shumë i lartë për ta kthyer edhe në pikë turistike.

Tanini: -Shqipëria ka shumë vende të tilla, janë shumë interesante ato vende që i përkasin arkeologjisë ushtarake shqiptare. Çfarë thonë prindërit tuaj për këtë ngajrje që ju ka ndodhur?

Svetlana: -Prindërit e mi nuk kanë një mendim të qartë për këtë çështje. Çfarë tregojnë në lajme ata e besojnë, nëse ka dalë në lajme që unë jam spiune ndërkombëtare ata e besojnë. Ata nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë dhe besojnë, nëse unë do të kthehem në Rusi do të më arrestojnë. Ndoshta ata mendojnë se është më mirë të jesh në burg në atdheun tënd se jashtë tij.

Tanini: -A ka sot Rusia një shumicë popullsie komuniste?

Svetlana: -Popullata ruse nuk e quan veten komuniste, por patriote.

Tanini: -Po Ambasada Ruse në Tiranë, çfarë ka thënë, çfarë ka bërë për ju?

Svetlana: -Askush nga Ambasada Ruse nuk më ka ndihmuar edhe kur babai im bëri kërkesën për mua se përse nuk e ndihmojnë vajzën e tij. Ambasada Ruse ka thënë se unë e kam refuzuar ndihmën e tyre, sepse ata në fakt nuk më kanë ofruar asnjë lloji ndihme, nga ana e tyre nuk kam dëgjuar dhe marrë asgjë. Nga Rusia unë kam marrë vetëm kërkesën e eksradimit.

Tanini: Ju keni motra dhe vellezër?

Svetlana: -Kam dy vëllezër më të mëdhenj se unë.

Tanini: -Çfarë mendojnë ata për arrestimin tuaj?

Svetlana: -Ata kanë familjen e tyre, kanë jetën e tyre private. Në Rusi është normale që kur fëmijët rriten, ata jetojnë veç. Me vellëzerit nuk është se kam pasur ndonjë komunikim të përbashkët, sejcili ka parë jetën e tij dhe e kundërta. Nëse nuk u intereson kjo gjë, as unë nuk kam interes për ta.

Tanini: -Kush ju ndihmon më shumë në Shqipëri?

Svetlana: -Unë mbijetoj vetë, shokët më ndihmojnë për gjëra që nuk i porosis dot, kështu ata blejnë për mua.

Tanini: -Çfarë ndodh sot me situatën në Rusi? A ka ndryshuar jeta kulturore dhe shoqërore atje?

Svetlana: -Ndryshime ka, shumë djem janë larguar nga Rusia sepse ata nuk e mbështesin luftën. Familjet e reja që mund të largohen kanë ikur, sidomos njerëz të arsimuar. Shumica e tyre kanë qëndruar jashtë Rusisë, Gjeorgji, Kazakistan dhe në Amerikën Jugore.

Tanini: -A është Rusia e ditëve të sotme një vend ku njerëzit kanë liri dhe të drejta të barabarta? Apo është një vend ku të fusin në burg për asgjë, apo është një vend ku mbizotëron oligarkia dhe populli i mesëm e i varfër vazhdon e vuan?

Svetlana: -Në Rusi ka shtresa të ndryshme të shoqërisë, mbizotëron shtresa e mesme e shoqërisë, ka oligarkë qeverie, ka njerëz që jetojnë në varfëri. 80-85 përqind e Rusëve nuk kanë pasaportë dhe nuk kanë tentuar kurrë të marrin pasaportë.

Tanini: -Sa m2 është apartamenti juaj në Rusi? Ku jetoni ju?

Svetlana: -Në Moskë kam jetuar në një apartament që është rreth 30 m2.

Tanini: -Me qera?

Svetlana: -Jo me qera.

Tanini: -Po çmimet janë të larta apo mbijeton në një qytet si Moska?

Svetlana: -Në Rusi përveç qerasë apo blerjes, të gjitha produktet, mjekësia etj… janë shumë më lirë. Për të blerë apartamentin është shumë vështirë, duhet një kredi 30 vjeçare, sepse nuk ka import makinash përveç atyre kineze. Pas luftës çmimet u rritën 2-3 herë më shumë.

Tanini: -Shoku Putin, a është diktator?

Svetlana: -Në Rusi atë e kategorizojnë si demokrat. Tani kanë filluar të marrin emigrantët për të luftuar në luftë, u japin pasaportën Ruse dhe u thonë: “Merre pasaportën dhe tani shko në luftë’’.

Tanini: -Nuk më thatë, tavarish Putin, është apo jo diktator?

Svetlana: -Po, ai është diktator. Në më shumë se 20 vite të qeverisë së tij ai ka ndryshuar shumë ligje, ka ndryshuar kushtetutën, ka bërë që mos të ketë asnjë zgjidhje alternative. 90 e ca përqind e partisë së tij është në Parlament. Mendoj se kjo është diktaturë. Çdo person që del në mënyrë publike kundër Putinit, për këtë ai mund të arrestohet, gjobitet. Nëse ti thua publikisht se ushtarët që po luftojnë në Ukrainë janë duke bërë gabim, ty mund të të kapë neni për diskriminimin, mund të futesh në burg për disa vite.

Tanini: -Cilat vende ju pëlqejnë më shumë në Shqipëri?

Svetlana: -Tunelet, ka fabrika të braktisura, më pëlqen atmosfera që krijojnë. Unë publikoj fotografi shpesh, shumica janë të huaj ata që më komentojnë dhe që duan të shkojmë bashkë në këto vende. Shikoj një potencial të madh turistik në Shqipëri më këto ndërtesa, sidomos ato të arkeologjisë industriale. Janë artefakte të Shqipërisë së shekullit të 20. Shqipëria është Korea e Veriut, kështu më shkruajnë. Për natyrën dhe plazhet ata mund të shkojnë edhe në vende të tjera, por këto ndërtesa nuk i gjen dot askund.

Tanini: -A ka kafshë të ndryshme nëpër këto bunkerë?

Svetlana: -Kam parë lakuriqe nate në disa bunkerë e tunele në Tiranë, kafshë shtëpiake në disa bunkerë në Lezhë e Shkodër, nëse nga Tirana shkon në Durrës ka bunkerë ku mbajnë dele.

Tanini: -Me gjithë këtë që ju ka ndodhur në Shqipëri, a urreni më shumë Shqipërinë apo shqiptarët?

Svetlana: -Unë nuk urrej askënd, urrej çdo lloj burokracie. Armiku im në Shqipëri është burokracia, sepse policia nuk po e mbyll çështjen time. As azili im politik nuk po bëhet.

Tanini: -A keni një mesazh?

Svetlana: -Do të desha të më ndihmonte qeveria, sepse nuk mund të kthehem në Rusi. Jam e gatshme të futem në fushën e turizmit. Jam e gatshme të bisedoj me qeverinë vendore për nisma të ndryshme në fushën e turizmit.

Tanini: -Zonja spiune, falëminderit për bisedën. Uroj që të ikë sa më parë nga ju kjo e keqe që ju ka ndodhur. Më kontaktoni për çdo lloji ndihmë që do të keni nevojë. Mos harroni se ne vuajtëm në 45 vite diktaturë, do të duhen edhe 45 vite të tjera që ne të shplahemi nga e gjithë kjo dhimbje e vuajtje. Kini kujdes nga spiunët, sidomos nga spiunët e pa punë!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd