Lushnjë, 6 Mars 2024 /noa.al- Prona ishte më e shtrenjtë se vëllai për dy burra në Lushnjë të cilët u përleshën dhe njëri iu sul me sëpatë tjetrit, duke marrë më pas plagë me armë zjarri.
Nazif Musaj 57 vjeç dhe Hazis Musaj, 70 vjeç janë dy protagonistët e ngjarjes së rëndë që ndodhi sot rreth orës 08:00, në fshatin Qukas i Vjetër, Lushnjë, raporton noa.al.
Dyshohet se për shkak të konflikteve për motive pronësie, Hazisi ka goditur me mjet prerës (sopatë), vëllanë e tij, Nazifin.
Krimi brenda familjes nuk u ndal me kaq. Nazifi nxori një armë zjarri, pistoletë dhe iu sul të vëllait që e qëlloi me sëpatë dje hapi zjarr duke e plagosur.
Të dy të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve.
Aktualisht, Hazisi është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës (sopatë), të përdorura gjatë konfliktit.
Grupi hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd