Transmetuar më 07-03-2024, 13:49

Nga Artan FUGA

Me rastin e festës së arsimit shqip, gëzuar nxënësve, studentëve, prindërve, gjithë personelit ndihmës, autorëve të teksteve, të programeve, inspektorëve, shefave të arsimit në rrethe, dhe… neve mësuesve! Gjithsesi, mbeten kujtime të mira dhe kujtime që mund të ishin më të mira.

Lidhja ndërlëndore përshembull mbaj mend që ishte në nivele frigoriferike. Nga sa kam parë tekstet e tanishëm, si edhe programet e lëndëve të aprovuara zyrtarisht, lidhja ndërlëndore është në po atë nivel, nën zero, ngrirje, akull. Formimi ndërdisiplinor i nxënësve në gjimnaze lë për të dëshiruar.

Më kujtohet se kur bënim gjeometri euklidiane, askush nuk e lidhte atë edhe me shqisat njerëzore dhe në radhë të parë me antropologjinë e syrit njerëzor. Ç’ne, thotë injoranti, lidhja mes gjeometrisë dhe psikologjisë e okulistikës! Prandaj është injorant.

Bënin matematikë, algjebër, por se mos kishte ndonjë mënyrë që ta lidhje me bazat e logjikës, me atë se çfarë është shprehja logjike, se çfarë është identiteti logjik. Ç’ne, logjikë as bëhet fare. Filozofia dhe matematika? Ç’ne, do të thoshte injoranti… Përse duhen lidhur? Prandaj është injorant.

Bëhet astronomi, por se mos lidhet astronomia me fizikën, a thua se ata që zbuluan dhe vërtetuan në kohët moderne lëvizjen e planeteve nuk e shpjeguan më parë atë fizikisht, duke e lidhur me ligjet e lëvizjes mekanike dhe të inercisë së lëvizjes të trupave. Ç’lidhje ka fizika e lëvizjes mekanike me lëvizjen eliptike të planeteve? Nuk e di se Qielli është shpjeguar nga Toka. Se si të shpjegohej ndryshe!

Kush e lidh faktin që Toka nuk lëviz njësoj, me të njëjtën shpejtësi rreth Diellit, duke e shpjeguar edhe matematikisht me madhësinë e këndeve që formohen në këtë proces, ku vatra e perimetrit të lëvizjes merret Dielli? Vërtet e rrumbullakët është Toka? Se mos është elipsoide!

Kush e lidh astronominë me klimën dhe dijet gjeografike dhe ku lidhet gjeografia fizike etj., me dijet ekonomike dhe me të gjitha shkencat mbi njeriun? Pse ta lidh sociologjinë me gjeografinë, thotë dikush që përshembull nuk ka lexuar ta zemë ‘Esprit des lois’ të Monteskjës?

Pa u bërë kjo lidhje ndërlëndore jemi larg formimit koherent dhe kuptimit të dijeve në formën e tyre strukturore. Lëndët mbeten të shkëputura nga njëra-tjetra. Që ato të mos mbeten kështu duhet që programet dhe tekstet të jenë sa më tepër të hapura ndaj lëndëve të tjera. Por, duhen edhe mësues që të jenë formuar kështu.

Ne mësojmë shqip, sigurisht, kryesorja, por ç’na duhet edhe disa dije në latinisht dhe në greqishten e vjetër si në shkollat perëndimore.., pyet injoranti. Filozofia dhe feja? Përjashtuese, thotë autodidakti. Nuk e di lidhjen e ngushtë midis tyre brenda dallimeve të rëndësishme që kanë pasur dhe djegies me zjarr në kohë të ndryshme të filozofëve nga klerikët dhe të klerikëve të çuar në satër nga filozofët!

Si mund të mos hapet gjuhësia ndaj informatikës dhe inteligjencës artificiale. Po Me çfarë? Me kalem me gomë në gojë bëhet gjuhësi? Si mund të mos hapet sociologjia ndaj statistikës. Si mund të mos hapet psikologjia ndaj psikanalizës etj.

Dhe kjo kërkon reformimin strukturor të të gjitha institucioneve të shkollës. Ato nuk duhet të funksionojnë të mbyllura në vetvete, si kuti sardelesh për ushtarët në luftë. Lëvizshmëria e lirë e nxënësve dhe studentëve, interkoneksioni midis strukturave dhe institucioneve arsimore, orientimi drejt dijeve që shkojnë drejt objektit të dijes dhe jo strikt drejt disipilinave lëndore, është bërë urgjente.

Një student që nis studimet universitare, jo të pengohet të ndjekë dy ose më shumë profile studimesh, por të inkurajohet ta bëjë. Si edhe dy vitet e para, në të gjitha profilet e studimeve, të kenë minimumi 50 përqind të lëndëve të zgjedhshme nga studentët e profileve të tjera, pavarësisht se studenti është rregjistruar në një universitet tjetër publik ose privat.

Regjistrim te pedagogu, jo, thjesht te lënda! Studenti ndjek pedagogun, jo lëndën, thjesht. Gjithsesi, gëzuar festën e arsimit shqip!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd