Transmetuar më 16-03-2024, 11:16

Nga Ylli Manjani

Pushteti i Edi Ramës, madje edhe mbipushteti, vjen nga vota e shqiptarëve. E kam thënë e stërthënë sepse ky është fakt, jo thjesht mendim. Në daç besojeni në daç hidhuni përpjetë po ky është realiteti.

Kushdo që beson se janë ca amerikanë që heqin e vënë kryeministrat tanë është haluçinant, trutharë, trushkulur, ose trushpërlarë nga propaganda. Askush jashtë nesh nuk ka interes të tillë që të ketë butonin e ndryshimit politik. Doni më prova?

Edi Rama thjesht sigurohet që të mos ketë askënd tjetër përballë këtu në politikën e qelbur shqiptare dhe kaq. Të tjerat vijnë vetë. Edhe amerikanët, duke mos patur se ku të trokasin tjetër, do të trokasin tek më i zoti prej nesh. Është kaq e thjeshtë kjo punë.

Ideja tjetër se do të vijë Trump në krye të Amerikës dhe do të ndryshojë Shqipëria është edhe më budallaqe. Amerika i duhet Edi Ramës vetëm për të shplarë trutë e shqiptarëve dhe për të vrarë çdo alternativë këtu. Po të presësh se do të vendosë Amerika për ne, kjo është idiotësi. Asnjë fis afrikan nuk e beson këtë, jo më shtet sovran.

Tani, që u zutë gafil me idenë se Rama po i bën qokën Trump me ishullin e Sazanit, ç’keni për të thënë?! T’ia japë, them unë, pse jo?! Pse me pordhët e qelbura të George Soros apo fëndët e të birit do të vazhdojë propaganda e shpërlarjes së truve tona?!

Se pasuria jonë publike aq vlen mo, sa për propagandë. Të paktën dhëndrri i Trump do të ndërtojë diçka, jo si Alex Sorosi që thjesht shet pordhët e të atit. Jeta e loja vazhdojnë. Rama është më i qarti ndër ne, më i kthjellti.

I bën hyzmet pushtetit këtu dhe sigurohet që të jetë te dera, kur i troket dikush, qoftë ky Biden, qoftë Trump, qoftë Soros, Meloni apo kushdo tjetër. Prandaj është në pushtet, për këtë gjë… Shumica prej nesh gjykon me trutë e gomarit dhe i duket se ky piç vend është qendra e botës. Rama dhe pak si ai janë me këmbë të tokë. Ky vend vlen vetëm për t’u sunduar… Ja kaq.

Në finale, sfida është e JONA. E askujt tjetër. Kush e do karriken e Ramës? Kjo është pyetja, që s’po merr përgjigje… Ndërkohë, të presim të vijë Trump që PD të marrim vulën, ndërsa Rama të mbajë pushtetin, nuk është logjikë, por budallëk. Kush vijon të mendojë nga importi, i lutem t’i bëjë shumë të fala logjikës!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd