Transmetuar më 21-03-2024, 17:10

ME FOTO | Lorela, Iliana dhe Vangjo, ja kush janë tutorët që bënë prostituta 5 të miturat shqiptare. Dhe në këmbim u jepnin kokainë(!)

Maria Iliana, një vajzë greke 25 vjeçare, Lorela Karak, një shqiptare 30 vjeçe dhe Z.K., një djalë 25 vjeç që njihet me emrin Vangjo (Vangjel) janë ndër tre autorë të dyshuar të një rrjeti shitjeje të "mishit të bardhë" në kryeqytetin grek Athinë, ku viktimat ishin disa vajza të mitura nga Shqipëria dhe të tjera nga Gjeorgjia. Hetimet nxjerrin se janë dy grupe shfrytëzimi prostitucioni, i pari me liderë Marian dhe i dyti me në krye Lorelën.

Lorela Karaj

Noa.al ka zbardhur detaje tronditëse nga skema e abuzimit dhe rezultatet e hetimit policor lokal. Po ashtu noa.al nxjerr dhe komunikimet përmes WhatsApp të personave të përfshirë në këtë aferë.

Në këtë raport special të noa.al, më poshtë do të lexoni dhe rrëfimet shokuese të prindërve të vajzave shqiptare. "Të mendosh që janë me nënë e me babë, me shtëpi e me katandi dhe kur vjen puna na largojnë dhe përfundojnë në të tilla", u shpreh nëna e një 17 vjeçareje shqiptare në një prononcim për media sot në Athinë, citon noa.al.

Si nisi rekrutimi

Maria Iliana

25-vjeçarja e njohur si “Maria Iliana”, nga Aspropirgos, Greqi, hyri në kontakt me shtatë vajzat, pesë shqiptare dhe dy gjeorgjiane, në një bar-club të zonës.

Vajzat adoleshente të moshës midis 15 deri 17 vjeç, ishin të gjitha në një klasë gjimnazi të qytetit dhe dilnin përherë bashkë.

Në lokal, nisën të piketohen nga tutorja e tyre e ardhshme, Maria Iliana. Pasi nisën të njiheshin, ajo u premtoi para të lehta dhe jetë luksoze nxënëseve të mitura.

E kur të voglave nisi t’u hyjë vetja në qejf duke mos menduar gjatë për pasojat, disa prej tyre u zhytën dhe në botën e errët të drogës dhe kokainës.

Mesazhet në celularët e të miturave

Pamje të mesazheve

Pavarësisht se Maria Iliana mohon akuzat dhe pretendon se të miturit janë dorëzuar vullnetarisht dhe se ajo vetë nuk ka asnjë lidhje me akuzën e tutorëve, provat e dala nga hetimi i policisë e hedhin poshtë atë.

Tronditës është mesazhi i një të miture, e cila shkruan si më poshtë në një nga bisedat që ka bërë:

"Po shqetësohem. Kjo histori nuk do të dalë për mirë. Ajo [tutorja – shënim i redaksisë] është fajtore për gjithçka. Na shkatërroi. Fillimisht e bëri të duket e lehtë me “Alecon” dhe shiko ku përfunduam".

25-vjeçari akuzohet për tutor

I dyshuari Z.K.

Në mënyrë të veçantë, oficerët e policisë gjetën në celularët e 7 vajzave të mitura, me origjinë nga Shqipëria dhe Gjeorgjia, biseda me 25-vjeçarin, ku flitej për takime romantike për para. Ky djalë njohur si Vangjo dhe që i dalin vetëm iniciale Z.K., ishte i dashuri i Maria Iliana.

Në një nga këto mesazhe, 25-vjeçari thotë se “kemi mbetur prapa me takime" dhe "na duhen para se na kanë mbaruar”.

Droga

Për çdo takim "romantik" me një vajzë të mitur, klienti paguante nga 200 deri në 400 euro, çifti tutor merrte nga 50 deri në 100 euro.

Madje, në disa raste, pasi binin dakord me tutorët, klientët, në vend të parave i paguanin vajzat e mitura me… kokainë!

Si u zbulua rrjeti

Gjithçka nisi të zbardhej krejt rastësisht tetorin e kaluar, kur motra 22-vjeçare e një prej viktimave dëshmoi në polici se kishte parë mesazhe në rrjetet sociale të motrës së saj, ku flitej për takime në hotele në Athinë dhe Glyfada.

Vajza 22 vjeçare ka treguar në polici se si motra e saj 17-vjeçare dilte shpesh nga shtëpia gjatë natës, ndërsa në celular kishte lexuar bisedat e saj në Instagram me një burrë të quajtur “Vangjo”, me të cilin diskutonin për marrëdhënie seksuale me pagesë në një hotel në Kerameikos.

E reja përmend dhe Alekon, një tjetër mashkull i cili duket të ishte klient. Ai, “paguante për të parë vajza të mitura të zhveshura”.

Në komunikime u gjetën dhe dy taksistë, Manos dhe Zahos, që merrnin vajzat e mitura dhe i çonin te klientët.

Numrat e telefonit të këtyre personave i janë dhënë policisë nga 22-vjeçarja.

Ajo ka treguar edhe se motra e saj ishte zhytur dhe në botën e drogës dhe përgjegjëse bënte Marien.

Adoleshentja është thirrur në polici dhe u mor në pyetje. Në prani të psikologut ka konfirmuar se është takuar me 25-vjeçaren në verën e vitit 2023 dhe se së bashku me një shoqe 16-vjeçare. të saj, kishin shkuar në shtëpinë e “Alekos” në Sepolia, ku kishin kryer marrëdhënie seksuale me të, kundrejt pagesës.

Nëna e një të miture në rrëfim 

“Ai po i bënte presion vajzës sime që ta fuste në qark. Vajza ime po rezistonte, nuk donte. Ime bijë më tregoi dhe arriti të shpëtonte”, tha nëna e një të miture që nuk u zhyt në aferat e prostitucionit.

E ëma e të miturës që shiti trupin 

Nëna e një viktime foli për mediat në Athinë duke thënë: “Ka shumë viktima. L. dhe M. dilnin dhe gjenin vajza. Ata me këtë gjë merreshin. Por nuk janë vetëm këta njerëz që arrestuan, është një rrjet i tërë nga pas”.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka shumë elementë të përbashkët të rrjetit së tutorëve me në krye 25-vjeçaren dhe atë të 30-vjeçares Lorela që u çmontua pak javë më parë.

Në fakt, nëpërmjet rrjeteve sociale duket se dy femrat e akuzuara si tutore njihen me njëra-tjetrën dhe madje kishin një lidhje miqësore. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd