Transmetuar më 23-03-2024, 18:52

Ish-pronari i rrjetit ndërkombëtar të dyqaneve Poundland e Steinhoff, është gjetur i vdekur, një ditë pasi mori gjobën 20 milionë dollarë në një prej skandaleve të fundit financiare në Afrikën e Jugut, njoftojnë mediat vendase.

Drejtori i kompanisë Steinhoff, Markus Jooste beoshet se ka vdekur nga vetëvrasja teksa policia e kërkonte për ta arrestuar në qytetin bregdetar të Cape Town, sipas mediave afrikano-jugore.

Trupi i tij u gjet në afërsi të kompleksit të tij luksoz në plazhin Kwaaiwater, teksa mediat publikonin pamje të vendngjarjes me shkëmbinjtë e gjakosur.

Pas vendosjes së gjobës nga autoritetet, babai tre fëmijëve kishte rezervuar një fluturim drejt Johannesburg për t’u paraqitur te autoritetet.

Ai i kishte thënë bashkëshortes Ingrid se po dilte për një shëtitje, por pas disa orësh që nuk dukej, policia e kishte gjetur më një plagë plumbi në kokë.

Policia tha se konfirmonte vetëvrasjen por pa përmendur emrin e Jooste.

“Oficerët u thirrën në një zonë të plazhit Hermanus, ku një 63-vjeçar kishte pësuar një plagë plumbi në kokë”, tha koloneli Malcolm Pojie.

“Ai ishte ende gjallë dhe u transportua për në spital, ku kishte dhënë shpirt disa minuta pas mbërritjes”.

Hetimet mbi rrethanat e vdekjes vijojnë, thanë zyrtarët.

Zbulimet e mangësive financiare në kompanitë e tij prej vitit 2017, sollën thuajse falimentimin e kompanisë dhe një seri padish kundër saj.

Në një komision parlamentar hetimi në Afrikën e Jugut, Jooste mohonte se ishte në dijeni të parregullsive. Por prokuroria tha se hetimet zbuluan deklarata të rreme e të keqinterpretuara financiare për kompaninë e tij Steinhoff International Holdings. Biznesmeni njihej në vend për lidhjen e tij me aristokraten Berdine Odendaal, dhe ishte pronar i njohur kuajsh.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd