Transmetuar më 24-03-2024, 09:06

KOSOVË- Ditën e sotme shënohen 25 vite nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi. Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish- federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës. Kjo ishte ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike

Ndërkohë sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate sot do të bëj homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës.

“Në orën 09:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate do të bëj homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Sulmet kryesore 24 mars Bombardohet fabrika për prodhimin dhe riparimin e aeroplanëve në Pançevë, si dhe bombardohen objekte të tjera me rëndësi ushtarake në Serbi.

25 mars Bombardohet një lokacion në Rozhajë të Malit të Zi, shumë pranë kufirit me Kosovën.

26 mars Shkatërrohet depoja e karburantit në Lipovicë të Serbisë. Dëmtohet një pjesë e rrjetit elektrik në Batajnicë.

Fabrika ‘Sloboda’ në Çaçak.

28 mars Goditet fabrika ‘Sloboda’ në Çaçak, një prodhues i madh i pajisjeve elektroshtëpiake në Serbi.

1 prill Granatat godasin një urë midis Novi Sadit dhe Petrovaradinit në Serbi.

Objekti i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Beograd pak pas bombardimit.

3 prill NATO-ja godet ndërtesa qeveritare në Beograd.

4 prill Në Beograd bombardohet selia e Ushtrisë Jugosllave.

Shkatërrohet depoja ‘Beopetrol’ në Beograd dhe Bogutovc në Kraljevë.

Bombardohet depoja e karburantit në fabrikën e kaldajave në Beograd të Ri.

Sulmohet rafineria e naftës në Pançevë.

Sulmohet aeroporti i Sllatinës afër Prishtinës.

Sulmohet ‘NIS Jugopetrol’ në Smederevë të Serbisë.

5 prill Goditet një fabrikë e kaldajave dhe rafineria e naftës në Novi Sad.

Goditen depo tjera të ‘Naftagas promet’ 10 km larg Somborit.

Sulmohet aeroporti kryesor i Beogradit.

Goditet ‘NIS Jugopetrol’ në Prishtinë.

Goditet një fabrikë e duhanit në Nish të Serbisë.

Goditet fabrika kimike ‘Milan Blagojeviq’ në Lluçan të Serbisë.

6 prill Sulmohet depoja e ‘Beopetrol’ në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec.

Sulmohet fabrika e kimikateve ‘Milan Blagojeviq’ në Lluçan të Serbisë.

7 prill Bombardohet depoja e ‘Jugopetrol’-it në Sombor të Serbisë.

Bombardohen disa lokacione në Prishtinë dhe në Novi Sad të Serbisë.

8 prill Sulmet e NATO-s vazhdojnë në Kralevë, mbi objektet qeveritare në Beorgad dhe qytete përreth.

Fabrika ‘Zastava Automobili’ në Kragujevc të Serbisë pak kohë pasi u bombardua.

9 prill Aeroplanët e NATO-s bombardojnë kompaninë ‘Zastava Automobili’ në Kragujevc të Serbisë, ‘NIS Jugopetrol’-in në Smederevë dhe transmetuesit e RTS-it në majën e Goleshit, pranë aeroportit të Prishtinës.

10 prill Bombardohen aeroportet e Prishtinës, Nishit dhe Kralevës.

11 prill Sulmohet kompleksi malor ‘Divcibare’ afër malit Zlatibor dhe një zonë banimi në Novi Sad.

12 prill Bombardohen disa lokacione në Kosovë dhe në Serbi, në mesin e tyre një tren, depoja e ‘Jugopetrol’-it në Prishtinë, një hotel në Kopaonik të Serbisë. Sulme të tjera në depo nafte në Novisad, Pançevë dhe Kragujevc.

13 prill Sulme të tjera në depo nafte në Kosovë dhe Serbi.

Kolona me civilë shqiptarë pak kohë pasi u godit gabimisht nga NATO.

14 prill Goditet gabimisht një kolonë me civilë në Kosovë.

Sulmet vazhdojnë në Prishtinë, kryesisht mbi depo nafte.

15 prill Sulmohen disa lokacione në Serbi.

16 prill Sulmohet sërish rafineria e naftës në Pançevë dhe ajo në Novi Sad.

Rafineria e naftës në Pançevë pak kohë pas bomardimit.

18 prill Sulmohen disa lokacione në Pançevë të Serbisë, por edhe të tjera në afërsi të aeroportit të Sllatinës në Kosovë.

19 prill Sulmohet një lokacion në Suboticë dhe fabrika e kimikateve në Bariç të Serbisë.

Shkatërrohet transmetuesi i komunikimeve afër Prishtinës.

20 prill Sulmohen minierat e thëngjillit në Bardh në afërsi të aeroportit të Sllatinës, në periferi të Prishtinës.

Bombardohen objekte qeveritare në Prishtinë dhe një rafineri e naftës në Novi Sad.

Selia kryesore e Partisë Socialiste të Serbisë në Beograd pak kohë pas bombardimit.

21 prill Sulmohet selia kryesore e Partisë Socialiste të Serbisë në Beograd të Serbisë.

22 prill Sulmohet një nga rezidencat e presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

Sulme në Prishtinë dhe Novi Sad.

Objekti i RTS-it pas sulmit të NATO-s.

23 prill Bombardohet Radio Televizioni i Serbisë – RTS, në Beograd. Sulmohet një urë në Novi Sad dhe lokacione të tjera në Serbi.

25 prill Sulmohet zona industriale në Nish.

26 prill Bombardime në Sombor, Novi Sad, Nish dhe Kragujevc të Serbisë.

Sërish bombardohet aeroporti i Sllatinës në Kosovë.

27 prill Bombardime të rënda në Beograd dhe Surdolicë në Serbi.

Në Kosovë: bombardime në Sllatinë, Deçan, Pejë, Lipjan.

Bombardohen disa pika pranë Podgoricës në Mal të Zi.

28 prill Bombardohet rafineria e naftës në Novi Sad, një transmetues televiziv në majën Frushka Gora, dhe bombardohet një depo nafte në qytetin Pozhegut.

Në Kosovë bombardohet një lokacion në Mitrovicë, Prishtinë dhe miniera në Stantërg.

Një granatë bie gabimisht në Sofje të Bullgarisë.

Bombardohet një pjesë e aeroportit të Gollubovacit, afër Podgoricës në Mal të Zi, si dhe në Bar dhe Bijelo Polje.

30 prill Bombardohen objekte qeveritare në Beograd.

Bombardohet ura mbi lumin Lim në Murino, Mal të Zi.

1 maj Gabimisht bombardohet një autobus i Nish Express-it në urën e Lluzhanit, në periferi të Prishtinës.

Bombardohet një rafineri nafte në Novi Sad.

2 maj Bombardohet kryesisht rrjeti i energjisë elektrike.

Goditet një autobus në Pejë dhe një depo nafte në Prishtinë dhe Rahovec.

Bombardohet një seli e RTS-it dhe rafineria e naftës në Novi Sad.

5 maj Bombardohet sërish ‘Jugopetrol’-i në Nish.

7 maj NATO-ja gabimisht bombardon Ambasadën e Kinës në Beograd. Vriten tre gazetarë kinezë.

Sulme të rënda në Nish.

Bombardohet një urë rrugës që çon në Rumani.

Bombardohen disa pika në Beograd.

8 maj Sulme intensive në Beograd, kryesisht mbi rrjetin elektrik.

10 maj Bombardohet fabrika e kimikateve ‘Prva Iskra’ në Bariç.

13 maj Bombardohet një lokacion në Korishë të Prizrenit. NATO-ja thotë se aty ishte një vendkomandë e ushtrisë dhe policisë serbe. Vriten dhe lëndohen shqiptarë lokalë.

Dy burra largohen nga vendi ku po qëndronin në Korishë.

14 maj Bombardohet një kamp refugjatësh në magjistralen Prishtinë – Prizren, afër fshatit Korishë.

15 maj Bombardohen depot e ‘Jugopetrol’-it në Bor dhe Beograd.

17 maj Bombardohet sërish ‘Jugopetrol’-i në Bor.

19 maj Bombardohet depoja ‘Jugopetrol’ në Beograd.

20 maj Sulmet ajrore dëmtojnë rezidencat e ambasadorit të Zvicrës, Spanjës, Suedisë, Norvegjisë, Hungarisë në Beograd.

Dëmtohet edhe Ambasada e Libisë, si dhe objekti i misionit diplomatik të Izraelit.

21 maj Goditet rrjeti përçues i energjisë elektrik në Nish.

Sulmohet një central në Beograd.

22 maj Goditet dhe dëmtohet rrjeti elektrik në Beograd dhe pjesë tjera të Jugosllavisë.

23 maj NATO-ja fillon bombardime intensive të rrjetit elektrik. Shumë qytete mbesin pa rrymë dhe pa ujë.

24 maj Bombardohet rëndë fabrika ‘Millan Bllagojeviq’ në Lluçani të Serbisë.

27 maj Bombardohet depoja e naftës ‘Jugopetrol’ në Bor.

Sulmohet rrjeti elektrik në Beograd.

Sulmi në Beograd.

30 maj Bombardime në Beograd, në një urë në Serbinë qendrore dhe sanatoriumi në Surdulicë.

31 maj Bombardohen transmetuesit në Nish.

Ushtarë të KFOR-it pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut.

10 qershor NATO-ja ndërpret sulmet ajrore ndaj Jugosllavisë.

OKB-ja miraton rezolutën 1244 që parasheh vendosjen e një administrate ndërkombëtare në Kosovë.

Fillon tërheqja e trupave serbe nga Kosova.

Efikasiteti i sulmeve Pas përfundimit të Operacionit të Forcave Aleate, NATO lëshoi ​​një vlerësim paraprak të efektivitetit të sulmit të saj kundër një numri objektivash.

Këto objektiva të shkatërruara ose të dëmtuara dukshëm përfshinin:

11 ura hekurudhore 34 ura autostrade 29 për qind e të gjithë depozitimit të municionit serb 57 për qind e rezervave të naftës Të gjitha rafineritë jugosllave të naftës 14 poste komanduese Mbi 100 avionë Dhjetë fusha ajrore ushtarake Aeroplanët që garantuan suksesin e NATO-s Duke pasur shumë shtete anëtare dhe aeroplanë të shumtë në dispozicion, në një raport të NATO-s të vitit 2000 përmenden tri lloje aeroplanësh që kanë luajtur rol kyç në suksesin e bombardimit të Jugosllavisë. Në fushatën ajrore ishin përdorur edhe dronët. Tre modelet kyçe:

– C-17 është një aeroplan transporti ushtarak me krahë të lartë, me katër motorë, me bisht T, që mund të transportojë pajisje, furnizime dhe trupa direkt në fusha të vogla ajrore, në terrene të ashpra kudo në botë. -U-2, Iron Clad. Është një aeroplan me një pilot, me shumë role që mund të marrë imazhe fotografike ose radar, si dhe të monitorojë komunikimin e armikut dhe të gjejë burimet e sinjaleve elektronike. -Mjetet ajrore pa pilot (U). Ky mjet ajror ua mundësonte komandantëve të NATO-s të shihnin situatën në terren pa u dukur dhe pa vënë në rrezik ekuipazhet ajrore dhe duke siguruar mbulim të vazhdueshëm të zonave të rëndësishme.

Bombardimet e gabuara

Bombardimet e NATO-s nuk ishin gjithmonë të sakta. Ato shkaktuan viktima edhe në mesin e civilëve, si në territorin e Kosovës, po ashtu edhe në Serbi.

Në vitin 1999, vetë NATO-ja vlerësonte se bombardimet kishin shkaktuar rreth 520 viktima civile.

Në disa raste pilotët e NATO-s sulmuan gabimisht caqe që shkaktuan dhjetëra viktima.

Më 14 prill 1999, një incident i tillë ndodhi në periferi të Prizrenit, kur nga bombardimi i NATO-s u vranë mbi 80 civilë shqiptarë.

Një bombardim tjetër i gabimshëm i një autobusi mbi urën e Lluzhanit në magjistralen Prishtinë – Podujevë, vrau rreth 40 civilë, shumica shqiptarë.

Më 5 prill 1999, dhjetë civilë u vranë gjatë një sulmi në kompleksin ushtarak Aleksinac “Deligrad” në Serbi dhe 30 u plagosën.

Më 12 prill, u bombardua një tren në Ristovac që udhëtonte drejt Beogradit duke lënë të vrarë 20 persona.

Më 23 prill, nga sulmi i NATO-s mbi RTS-in në Beograd u vranë 16 civilë.

Në prill, po ashtu, u vranë 11 civilë në Surdulica të Serbisë.

Në Murino të Malit të Zi vriten gjashtë civilë më 30 prill.

Në fillim të majit në Nish të Serbisë vriten 14 civilë.

Këto janë vetëm disa nga incidentet dhe nuk paraqesin të gjitha rastet kur bombardimet e pasakta të NATO-s vranë civilë, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi e Mal të Zi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Marrëveshje u pasua me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

KFOR-i është i pranishëm edhe sot dhe kujdeset për sigurinë e Kosovës./ REL

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd