Transmetuar më 27-03-2024, 19:20

Enti Rregullator i Ujit ka vendosur rritje me 12 deri 50 për qind të çmimit për metër kub të ujit në rajonin e Lezhës. Rritja erdhi me kërkesë të ndërmarrjes lokale të ujit.

Ajo kishte kërkuar rritjen e çmimit dhe për institucionet shtetërore dhe bizneset, por Enti nuk i ndryshoi ato, raporton noa.al.

Sipas vendimit, nga data 5 prill 2024, tre bashkitë që furnizohen me ujë nga Ndërmarrja e Ujësjellësit të Lezhës do të kenë çmime të rritura të furnizimit me ujë për familjarët.

Në Lezhë, familjet do të paguajnë 65 lekë për m3 nga 58 që paguajnë aktualisht.

Institucionet do të vazhdojnë të paguajnë 135 lekë/m3 dhe bizneset, 145 lekë /m3.

Shtrenjtim të çmimit ka dhe për familjet e Kurbinit që nga 5 prilli çdo m3 ujë do ta paguajnë 45 lekë. Tarifa aktuale është 30 lekë/m3 për familjarët çka tregon se rritja është 50 për qind.

Edhe në Kurbin, nuk ndryshojnë çmime e tjera bizneset mbeten në 120 lekë për m3 dhe institucionet 80 lekë.

Në Mirditë, Rubik dhe Rrëshen, gjithashtu u vendos rritje me 50 për qind nga 30 lekë në 45 lekë për m3.

Sakaq ësbtë shtrenjtuar dhe çmimi për ujërat e zeza. Në Lezhë bëhet 19 lekë/m3 ujë nga 18 që është aktualisht, për bizneset 29 lekë nga 27 dhe për institucionet 25 lekë nga 22 lekë.

Në Kurbin, Rubik dhe Rrëshen u rritën gjithashtu çmimet duke shkuar në 15 lekë m3 për familjarët dhe 25 lekë për bizneset dhe institucionet publike.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd