Transmetuar më 28-03-2024, 13:40

Prokuroria e Gjykatës Kombëtare të "Audiencia Nacional" ka kërkuar dënimin me 2 vite e gjysmë burg të ish-presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales. Shkaku? Puthja e rrëmbyer dhe frikësimi i mëpasshëm i futbollistes së kombëtares spanjolle, Jennifer Hermoso.

Sipas prokurores Marta Durantes, puthja e dhënë nga Rubiales ndaj Hermoso gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të Kupës së Botës për femra më 23 gusht dhe presioni pasues ndaj futbollistes për të deklaruar se ishte e lejuar prej saj, përbën një krim sulmi seksual.

Këtë e raporton prokuroria në dispozitën e cituar nga mediat iberike, përfshirë RTVE. Prokurorja kërkon gjithashtu dënimin me një vit e gjysmë burg të drejtorit sportiv të kombëtares së meshkujve, Albert Luque, të ish-trajnerit të kombëtares së femrave, Jorge Vilda dhe ish-menaxherit të marketingut të Federatës Spanjolle të Futbollit, Ruben Rivera.

“Situata shtrënguese e të akuzuarve ndaj Hermoso përfundoi kur i akuzuari Luis Manuel Rubiales Bejart u pezullua përkohësisht nga FIFA më 26 gusht 2023, – thuhet në kërkesën e prokurorisë. – Faktet e përshkruara bënë që Jennifer Hermoso Fuentes të përjetonte një situatë ankthi dhe stresi intensiv, i cili zgjati për disa muaj".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd