Transmetuar më 28-03-2024, 18:48

Prokuroria ka kërkuar 6 vite e 6 muaj burg për avokatin Alban Bengasi, nën akuzë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Bengasi akuzohet se ka porositur eliminimin e ish-bashkëshortes së tij, Blerta Ruçi. Rasti i tij u zbulua nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, ku thuhej se avokati kishte ofruar 120 mijë euro për të kryer ekzekutimin, por Dumani nuk i kishte pranuar duke thënë se nuk merrej me gra.

Në seancën e sotme, prokurori i çështjes e deklaroi fajtor Bengasin për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në grupin ku bënte pjesë dhe Nuredin Dumani. Gjithashtu Bengasi deklarohet fajtor edhe për dhunë në familje, ndaj ish-bashkëshortes së tij. Avokati mund të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar dhe të vuajë një dënim me 4 vjet e 4 muaj burgim.

Alban Bengasi u arrestua në shtator 2023 në aeroportin e Rinasit, pasi u kthye nga Dubai ku qëndronte prej 16 muajsh në arrati.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd