Transmetuar më 04-04-2024, 11:06

Konsumimi i sasive të mëdha të ushqimeve dhe pijeve të përpunuara në mënyrë industriale, veçanërisht nëse këto ushqime janë të ëmbëlsuara artificialisht, mund të shoqërohet me zhvillimin e depresionit.

Këtë e ka treguar një studim i ri mbi gratë. Ky studim vë në dukje një lidhje të drejtpërdrejtë midis konsumit të ushqimeve shumë të përpunuara dhe depresionit, i cili mund të çojë në një rrezik deri në 50% më të lartë për individët që konsumojnë nëntë ose më shumë ushqime të tilla në ditë në krahasim me ata që konsumojnë katër ose më pak.

Këtë e pohoi dr Gunter Kuhnle, profesor i shkencës ushqimore dhe të ushqyerit në Universitetin e Reading në MB, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, raporton noa.al.

Ushqimet shumë të përpunuara përfshijnë supa të gatshme, salca, pica të ngrira, ushqime të gatshme dhe ushqime të tilla si hot dog, salcice, patate të skuqura, pije të gazuara, ëmbëlsira të blera në dyqan, karamele, akullore dhe produkte të tjera që përmbajnë aditivë artificialë.

"Studimi ynë u fokusua në analizimin e marrëdhënies midis dietës dhe rritjes së rrezikut për një episod të ri të depresionit," thanë bashkëautorët e studimit Andrew T. Chan, Ph.D., dhe Daniel K. Podolski, profesorë të mjekësisë në Universitetin Mjekësor të Harvardit.

Ata shtuan se ekziston mundësia që ushqimet shumë të përpunuara mund të përkeqësojnë më tej gjendjen e individëve që tashmë vuajnë nga depresioni kronik.

Duke parë në mënyrë specifike disa ushqime shumë të përpunuara, të njohura gjithashtu si UPF, vetëm produktet që përmbajnë ëmbëlsues artificialë u shoqëruan me një rrezik në rritje të depresionit midis pjesëmarrësve, vuri në dukje Kuhnle.

"Ky zbulim është interesant sepse sugjeron se lidhja midis konsumit të UPF dhe depresionit drejtohet nga një faktor specifik – ëmbëlsuesit artificialë," shtoi ai.

Sa i përket arsyes pse ushqime të tilla lidhen me depresionin, Chan vuri në dukje lidhjen e njohur midis ushqimeve shumë të përpunuara dhe inflamacionit kronik, i cili mendohet të jetë shkaku kryesor i shumë sëmundjeve kronike.

Inflamacioni është i lidhur me një sërë gjendjesh serioze shëndetësore si kanceri kolorektal dhe sëmundjet kardiovaskulare, gjë që mbështetet nga studime të shumta.

Përveç kësaj, studimet kanë treguar një lidhje midis ushqimeve shumë të përpunuara, të tilla si pijet e gazuara dietike dhe ëmbëlsuesit artificialë, dhe depresionit.

Përmendet edhe lidhja me rënien kognitive dhe çrregullimet e mikrobiomës së zorrëve, gjë që tregon më tej kompleksitetin e ndikimit të të ushqyerit në shëndetin mendor.

Studimi përfshiu afro 32,000 gra të moshës së mesme nga Studimi i Shëndetit të Infermierëve II, por për shkak të mungesës së pjesëmarrësve meshkuj, rezultatet nuk mund të zbatohen pa mëdyshje për popullatën e përgjithshme.

Megjithëse hulumtimi ka dështuar të krijojë një lidhje shkakësore midis konsumit të ushqimeve shumë të përpunuara dhe depresionit, është e rëndësishme të merren parasysh faktorë të tjerë rreziku si historia familjare e depresionit dhe nivelet e stresit për të kuptuar plotësisht lidhjen midis dietës dhe shëndetit mendor. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd