Transmetuar më 04-04-2024, 20:47

Rrëfimi i një gruaje në moshë të re për kolegun që i është ngjitur si rrodhe. Nuk ndalet, arriti deri aty sa bleu shtëpi gati ngjitur me të.

Në rubrikën e The Guardian, "Pyet Philippa Perry", kjo zonjushë tregon:

"Më stërmundon fakti që jam zhytur në një dilemë. Katër vjet më parë takova një koleg në punë. Që në fillim, ai më tha se kishte ndjenja më të forta për mua sesa thjesht miqësi. Megjithatë ai kurrë nuk ishte i shtyrë fizikisht, por befas u bë i ngjitur – duke çuar mesazhe vazhdimisht në platforma të ndryshme të mediave sociale, duke më kërkuar në punë dhe madje duke ndërhyrë, kur në një mbrëmje pune, ai ndjeu se po shkoja shumë mirë me një koleg tjetër mashkull.

I thashë shumë herë në mënyrë të qartë se nuk më interesonte, madje në fund, për ta ndalur, i thashë se jam lezbike.

Nuk u ndal, madje i la kolegët e tjerë të besonin se ne ishim më shumë se thjesht miq. Mendoj se atij i pëlqente që njerëzit të mendonin se ishim bashkë, edhe pse nuk ishim.

Më pas bleu një shtëpi praktikisht ngjitur me mua dhe pa më thënë asgjë – e kam të vështirë të besoj se kjo është një rastësi.

Nuk lë rast të jetë prezent në evente ku e di se do të jem edhe unë.

Më fton herë pas here për të dalë dhe ia kam bërë të qartë që nuk e bëj.

Sinqerisht, nuk dua të vazhdoj të jemi as miq. Nuk dua të flas me të, të kem të bëj me të, por ka diçka tjetër: Në të njëjtën kohë, kam ndjenjën se ai më sheh si mikun e tij më të ngushtë dhe është i vetmuar dhe mjaft i dëshpëruar.

Në këtë pikë më krijohet dilema, a jam një njeri i keq? A duhet t’i them të dalë jashtë nga jeta ime dhe ta lëndoj, apo të vazhdoj ta duroj siç është dhe të ankohem për të pas shpine.

Përgjigjja e Philippa-s:

Dr. Philippa Perry

Një nga thëniet e mia të preferuara është, nëse jeni të mbërthyer mes pakënaqësisë dhe fajit, zgjidhni fajin.

Ju nuk jeni përgjegjëse për lumturinë apo vetminë e kolegut tuaj dhe mbajtja e një miqësie nga ndjenja e detyrimit nuk është e shëndetshme për asnjërin prej jush.

Por situata juaj është e ndërlikuar. Të blesh një shtëpi ngjitur pa thënë se çfarë po bënte tingëllon rrëqethëse. Shfaqja e rastësishme në eventet ku jeni dhe ju, evente për të cilat ai më parë nuk kishte asnjë interes është gjithashtu rrëqethëse. E ndërkohë ai pretendon se jeni bashkë. Teksa lexoj këto, ndjehem e shqetësuar për situatën tuaj.

Ju nuk jeni një person i keq për

a) dëshirën për të hequr qafe atë dhe

b) për të folur me të tjerët për të.

Sa më shumë njerëz të dinë për atë që duket të jetë sjellja e tij rrëqethëse, aq më e sigurt do të jeni ju.

Gratë shpesh priren të jenë të mira dhe të sjellshme, dhe më pas mund ta kenë më të vështirë të jenë këmbëngulëse dhe të drejta. Pikërisht këtë ndoshta është duke shfrytëzuar ai.

Ju thoni se ai është i sjellshëm. Unë nuk jam e bindur se është. Supozimi im është se është i vetëdijshëm që po e keni gjithnjë e më të vështirë t’u përgjigjeni të gjitha mesazheve dhe ftesave të tij – dhe gjithsesi ai bleu një shtëpi shumë afër tuajës.

Unë dyshoj se kjo ishte një lëvizje krejtësisht e pafajshme, sepse nëse do të ishte kështu,  ai do të kishte folur për të, do të kishte pyetur për lagjen, madje do t’ju kishte pyetur nëse e kishit problem që ai të afrohej kaq afër jush – por ai nuk e bëri. Kjo më bind të mendoj për kambanë alarmi.

Tani dilema është si ta zgjidhësh. Një mënyrë është të flisni me të në praninë e një zyrtari të punës.

Nuk duhet të jeni e ashpër ose konfrontuese, por shprehja e ndjenjave dhe shqetësimeve tuaja drejtpërdrejt mund të ndihmojë në sqarimin e situatës për të dy.

Mund të shpjegoni se jeni ndjerë e mbingarkuar nga shpeshtësia e ndërveprimeve dhe dëshironi që ato të ndalojnë.

Mos harroni diçka: Ju duhet të mendoni për mirëqenien tuaj, të ardhmen tuaj dhe jo të ndjeheni përgjegjës për të tjerët.

E në rast se edhe pas kësaj bisede ai vazhdon "ritualin", mos ngurroni të kërkoni urdhër mbrojtjeje. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd