Transmetuar më 07-04-2024, 19:04

Policia e Vlorës ka organizuar sot disa operacione për krimet ndaj mjedisit në plazhet e jugut, duke arrestuar edhe disa persona.

Kanë qenë turistët dhe qytetarët ata të cilët kanë njoftuar policinë për ndotjen e mjedisit nga inertet, që hidhen nga bizneset e zonës të cilat po kryejnë rikonstruksione në prag të sezonit veror.

Përmes një mesazhi, Policia e Vlorës u bën thirrje bizneseve por edhe individëve t’i hedhin mbeturinat në vendet e përcaktuara, pasi rrezikojnë të procedohen për këtë vepër penale.

Mesazhi i policisë së Vlorës:

Komunikimi me publikun i Drejtorit të Policisë Ermal Muçaj mbi ndalimin dhe procedimin penal të disa personave të përfshirë në krime mjedisore dhe dëmtim të pronës publike.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, falë dhe mbështetjes së qytetarëve, ditët e fundit ka nisur kontrolle, të vijës bregdetare të qarkut Vlorë, me qëllim parandalimin e krimeve mjedisore, kryesisht ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare.

Nga kontrollet kemi konstatuar se shumë operatorë turistikë kanë filluar të bëjnë gati ambientet për pritjen e pushuesve gjatë sezonit veror dhe gjatë punës kanë ndotur mjedisin, duke hedhur inertet në rrugë dhe në hapësira publike dhe jo në vendet e përcaktuara për këtë qëllim.

Siç po e shikoni kemi proceduar penalisht disa shtetas në lidhje me këtë vepër penale dhe përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje operatorëve turistikë dhe banorëve të zonave bregdetare, të mos ndotin mjedisin, duke hedhur inertet e mbeturinat në rrugë dhe të mos kryejnë ndërtime, pa leje pasi do përgjigjen ligjërisht.

Ftoj qytetarët që të denoncojnë çdo rast të ndërtimeve pa leje, ndotjes së mjedisit dhe të çdo paligjshmërie tjetër, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e ligjor, pasi bashkërisht mund të ndërtojmë një ambient sa më mikpritës për turistët dhe vizitorët.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd