Transmetuar më 11-04-2024, 07:28

Vendi ynë do të jetë nën mbizotërimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta në bregdet dhe zonat e ulëta ndërsa me kthjellime dhe vranësira të shpeshta do të paraqiten zonat malore përgjatë shtrirjes lindore.

Pjesa e dytë të ditës do të vijojë me të njëjtat kushte të qëndrueshme meteorologjike, ku moti i kthjellët dhe i ngrohtë do të jetë dominant në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në vlerat minimale por do të rriten edhe maksimumet duke u luhatur nga 7°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Ersekës deri në 30°C vlera më e lartë përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Era do të fryjë mesatare dhe herë pas herë e fortë me shpejtësinë mbi 35 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 ballë.

Kosova

Orët e para të mëngjesit në Kosovë parashikohet të jenë nën dominimin e kthjellimeve dhe kalimeve të pakta të vranësirave, por gjatë mesditës dhe në vijim pritet që gradualisht vranësirat të bëhen edhe më të dukshme, ku më të theksuara do të jenë në zonat Veriore dhe Veriperëndimore të vendit.

Megjithatë mundësia për reshje është thuajse zero.

Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë në të gjithë territorin e Kosovës edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të rriten si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 6°C vlera më e ulët dhe maksimumet do të ngjiten deri në 26°C.

Era do të fryjë e lehtë por herë pas here mesatare me shpejtësi maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi permanent verior.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd