Transmetuar më 13-04-2024, 09:44

SHBA- Thuhet se filmi i vitit 2011, i titulluar “I Limitless”, nxiti interesin për produktet që rrisin përqendrimin ose përmirësojnë kujtesën. Filmi flet për një shkrimtar të stresuar, të cilit i ndryshon jeta kur provon një pilulë të veçantë. Kohët e fundit, përdorimi i “suplementeve nootropike”, siç quhen përforcues të tillë, është miratuar edhe nga njerëz të famshëm. Supermodelja Bella Hadid, është “fytyra” e markës “Kin Euphorics”, e cila reklamon për konsumatorët mundësinë për të “përmirësuar shëndetin, humorin ose mirëqenien”. Joe Rogan, një prezantues i njohur podkasti, ka paraqitur suplementin “Alpha Brain”, që sipas tij, “ndez organin e trurit”, shkruan “The Economist”.

“Alpha Brain” prodhohet nga “Onnit”, një kompani suplementesh e bashkëthemeluar nga zoti Rogan në vitin 2010, me synimin për të “frymëzuar një udhëtim drejt optimizmit njerëzor”. Marka tërhoqi vëmendjen e konglomeratit “Unilever”, që merret me prodhimin e gjithçkaje, nga supat te sapunët, dhe ai e bleu firmën “Alpha Brain” në vitin 2021, për një shumë që nuk është bërë publike. Edhe rivalët e tjerë të mallrave të konsumit kanë hyrë në garë.

“Reckitt Benckiser”, kompania mëmë e markave si “Durex” dhe “Strepsils”, shet suplementet e njohura me emrin “Neuriva”. Këto kompani të mëdha po garojnë duke krijuar një sërë firmash të suplementeve ushqimore. Shoqëria kërkimore “Polaris” llogarit se shitjet globale të suplementeve nootropike, të cilat arritën në 11 miliardë dollarë në vitin 2021, do të rriten me një normë mesatare vjetore prej pothuajse 15%, deri në vitin 2030.

Suplementet nootropike zakonisht përfshijnë përbërës të larmishëm, me emra të padëgjuar për shumicën e njerëzve: aminoacide si L-theanine, ekstrakte bimore si Ashwagandha, probiotikë, vitamina dhe një shumëllojshmëri befasuese kërpudhash. “Neuriva” përmban forma të ekstraktit të frutave të kafesë dhe fosfatidilserinës, një lloj yndyre. Përbërësit ndërthuren për të formuar produkte të reja që thuhet se japin përfitime të ndryshme stimuluese për trurin e njeriut.

Këto suplemente filluan të tërheqin interes të madh pas pandemisë, kur u rrit vëmendja e publikut për mirëqenien. Ata tërheqin si konsumatorët më të moshuar, që janë të shqetësuar për rënien e veprimtarisë së trurit, ashtu edhe ata më të rinj, që duan të kenë një mendje sa më të mprehtë (dhe të tjerë që thjesht duan të imitojnë njerëzit e famshëm si Rogan dhe Bella Hadid). Për kompanitë e prodhimit, këto suplemente janë tërheqëse sepse kërkesa për to është rritur, siç thekson David Ridley nga shoqëria kërkimore “Citeline”, dhe suplemente të tilla janë shumë të lehta për t’u hedhur në treg.

Shumë shtete kanë ligje rregullatore që kontrollojnë pretendimet shëndetësore që mund të bëhen për këto produkte, por gjithashtu u lënë prodhuesve mjaft hapësirë për manovrim. Për më tepër, është shumë e vështirë të thuhet nëse këto suplemente nootropike funksionojnë me të vërtetë apo jo. Ka disa prova që tregojnë se janë me të vërtetë efikase. Andrea Utley, eksperte në kontrollin dhe zhvillimin motorik në Universitetin Leeds, e cila është skeptike për suplementet nootropike, testoi një suplement të tillë. Studimi i saj i rastësishëm zbuloi se suplementi shpejtoi vendimmarrjen dhe përmirësoi kujtesën.

Por janë kryer pak studime të tilla. Prandaj mjekët bëjnë thirrje për të pasur kujdes. Richard Isaacson nga Instituti për Sëmundjet Neurodegjenerative në Florida, jep shembullin e një pacienti, të cilit i ishte dëmtuar rëndë mëlçia, dhe fillimisht dyshohej se shkaku ishte pirja e tepërt e alkoolit. Më vonë doli se shkak kishte qenë marrja e sasive të tepërta të një kërpudhe me përfitime nootropike.

Është e kuptueshme përpjekja e njerëzve për të ndalur rënien konjitive, me suplemente të provuara në laborator, të cilat janë të përshtatura posaçërisht për nevojat e një pacienti, thotë doktor Isaacson. Por kjo nuk do të thotë se duhet nxitur një tru i shëndetshëm, pa e ditur se çfarë rreziqesh sjellin suplemente të tilla. Ndoshta ai duhet të hapë një podkast./ Monitor

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd