Transmetuar më 17-04-2024, 12:57

Njëri nga menaxhuesit e grupit famëkeq “Albkings” në Telegram, ku vazhdimisht publikohen pamjet intime të grave, është arrestuar.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke thënë se të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, shkruan Gazeta Insajderi.

“Prishtinë, 17 prill 2024– Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale”, thuhet në njoftim.

“Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, sipas KPRK-së, derisa në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”, vijon njoftimi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd